Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare
Oda Ekonomike Gjermano – Kosovare në Kosovë është themeluar me 17 prill të vitin 2012, në mbështetje të Ambasadës Gjermane në Kosovë si dhe të 39 ndërmarrjeve kosovare.
Ajo funksionon e mbështetur në statutin e saj, ka të zgjedhur anëtarët e Bordit Drejtues si dhe strukturat udhëheqëse, e organizuar në bazë të hierarkisë profesionale.
Që nga themelimi, OEGJK, ka rritur dhe vazhdon të rrisë kapacitetet e saja vepruese, duke dëshmuar afërsi dhe përgjegjësi për detyrat që i takojnë.
Qëllimi i OEGJK-së, është përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të ekonomisë gjermane në Kosovë dhe e kompanive kosovare që funksionojnë në Gjermani. Gjithashtu ndër qëllimet primare të OEGJK-së, është edhe thellimi i bashkëpunimit të vazhdueshëm mes bizneseve të dyja vendeve dhe krijimi i hapësirave të nevojshme për rritje të angazhimit biznesor dypalësh.
Vizioni i OEGJK-së, është që në një të ardhme të afërt, të ketë bashkëpunim të shtuar të marrëdhënieve mes ndërmarrjeve kosovare dhe atyre gjermane, për t’i dhënë impaktin e nevojshëm zhvillimit ekonomik të bashkëpunëtorëve tonë e me këtë edhe të të dyja vendeve, me nevojë të shtuar Kosovës.
Për të qenë sa më koshient karshi situatës dhe për të krijuar kushte më të mira për ecuri të mbarë biznesore mes dy shteteve tona, OEGJK është në marrëdhënie të përhershme me Odën Gjermane për Tregti dhe Industri (DIHK) me seli në Berlin. Ky bashkëpunim korrekt, dhe jo i vetëm, na jep mundësinë për të promovuar dhe forcuar raportet ekonomike mes Gjermanisë dhe Kosovës.
Pos marrëdhënieve të shëndosha me DIHK-në, OEGJK kultivon raporte të ngjashme edhe me ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, institucionet shtetërore të Kosovës, mekanizmat tjerë ekonomik e shoqëror në vend, e veçanërisht me bizneset anëtare të saj, numri i të cilave vazhdon të jetë në rritje. Kjo falë punës dhe përkushtimit serioz të drejtuesve të OEGJK-së për të qenë partner dhe përfaqësues dinjitoz i interesave të tyre ekonomike.
OEGJK mbetet e përkushtuar të jetë gardian i përhershëm i bizneseve dhe në kërkim të vazhdueshëm të krijimit të kontakteve mes ndërmarrësve të të dyja vendeve. Andaj ftojmë të gjitha kompanitë, si dhe personat që duan të jenë pjesë e jetës biznesore gjermano-kosovare, të marrin pjesë dhe të angazhohen në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare.
Dëshironi të mësoni më shumë rreth punës sonë?
Lexoni Raportin Vjetor të vitit 2023 dhe informohuni mbi ngjarjet, shifrat, si dhe arritjet tona.