Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare
Oda Ekonomike Gjermano – Kosovare në Kosovë është themeluar me 17 prill 2012, me mbështetje të Ambasadës Gjermane në Kosovë si dhe të 39 ndërmarrjeve kosovare.
OEGJK funksionon e mbështetur në Statutin e saj, ka të zgjedhur anëtarët e Bordit Drejtues si dhe strukturat udhëheqëse, e organizuar në bazë të hierarkisë profesionale.
Që nga themelimi, OEGJK, ka rritur dhe vazhdon të rrisë kapacitetet e saja vepruese, duke dëshmuar përgjegjësi për detyrat që i takojnë.
Qëllimi i OEGJK-së, është përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të ekonomisë gjermane në Kosovë dhe e kompanive kosovare që funksionojnë në Gjermani. Gjithashtu ndër qëllimet primare të OEGJK-së, është edhe thellimi i bashkëpunimit të vazhdueshëm mes bizneseve të dyja vendeve dhe krijimi i hapësirave të nevojshme për rritje të angazhimit biznesor dypalësh.
Vizioni i OEGJK-së është të forcojë marrëdhëniet mes ndërmarrjeve kosovare dhe gjermane, duke krijuar një impakt të dukshëm në zhvillimin ekonomik të partnerëve tanë dhe, përmes tyre, të të dyja vendeve, me një fokus të veçantë në nevojat e Kosovës.
Për të kuptuar më mirë dinamikat e tregut dhe për të krijuar kushte më të mira për bashkëpunim të qëndrueshëm biznesor mes Gjermanisë dhe Kosovës, OEGJK ruan marrëdhënie të vazhdueshme me Odën Gjermane për Tregti dhe Industri (DIHK) në Berlin. Ky bashkëpunim i drejtpërdrejtë, së bashku me partneritetet e tjera strategjike, na mundëson të promovojmë dhe forcojmë lidhjet ekonomike mes dy vendeve, duke hapur mundësi të reja për investime dhe zhvillim të përbashkët.
Përveç marrëdhënieve të shëndosha me DIHK-në, OEGJK kultivon raporte të ngjashme edhe me Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, institucionet shtetërore të vendit, mekanizmat dhe institucionet e tjera ekonomike, si dhe me bizneset anëtare të saj, numri i të cilave vazhdon të rritet. Kjo arrihet falë punës dhe përkushtimit serioz të drejtuesve të OEGJK-së për të qenë partner dhe përfaqësues dinjitoz i interesave të tyre ekonomike.
OEGJK mbetet e përkushtuar të jetë një përfaqësuese e vazhdueshme e bizneseve dhe të ndërmarrë veprime të vazhdueshme për të krijuar kontakte dhe mundësi bashkëpunimi mes ndërmarrësve të të dy vendeve. Prandaj, ftojmë të gjitha kompanitë dhe individët që duan të jenë pjesë e jetës biznesore gjermano-kosovare të angazhohen aktivisht dhe të kontribuojnë në aktivitetet e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare.
Dëshironi të mësoni më shumë rreth punës sonë?
Lexoni Raportin Vjetor të vitit 2023 dhe informohuni mbi ngjarjet, shifrat, si dhe arritjet tona.