OEGJK dhe Ministria e Ekonomisë dhe ambientit mobilizohen për t’i informuar kompanitë gjermane rreth Kosovës si vend të bashkëpunimit dhe investimeve

Prishtinë (19 qershor) Drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), Nora Hasani u takua me Ministrin e Ekonomisë dhe të Ambientit, z. Blerim Kuçi për ta informuar lidhur me punën e OEGJK-së dhe për të ofruar propozime konkrete në intensifikimin e bashkëpunimin bilateral ekonomik ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës, përmes OEGJK-së dhe Asociacioneve partnere të Odës në Gjermani.

Gjatë takimit njoftues, znj Hasani prezantoi mundësitë e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës, për të tërhequr investitorë gjermanë përmes politikave më të mira ekonomike, që do të duhej të përfshiheshin në planin e rimëkëmbjes.

Krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia Kosova mund ta shfrytëzojë si mundësi, për të kyçur kompanitë kosovare në zinxhirët e furnizimit, duke i mbështetur me masa konkrete, për t’ua lehtësuar që të bëhen furnizues për kompani gjermane.

Hasani e informoi Ministrin Kuçi, që në fokus të shumë kompanive gjermane është që të gjejnë back-up suppliers (furnizues rezervë) për furnizimet nga Azia.

“Shumë kompani kanë filluar ta konsiderojnë opsionin e ndërtimit të bazës së furnizuesve në Evropë, që të jenë më fleksibël. Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet tani të dalë me oferta konkrete për kompanitë evropiane, e në veçanti gjermane, për t’iu mundësuar kushte më të mira për të investuar në Kosovë”, tha Hasani.

Gjatë takimit u theksuar që Kosova duhet të fokusohet të bashkëpunojë me ndërmarrje të vogla e të mesme gjermane. Përparësia që kanë Kosovarët janë lidhjet e forta me Gjermaninë, njohuritë e gjuhës dhe kulturës së punës gjermane, përshkak të kësaj lidhjeje.

Avantazh për ta tejkaluar më lehtë krizën nga Covid19 do ta kenë gjithnjë ato kompani që prijnë në dixhitalizim, duke përfshirë automatizimin. Edhe kërkesat për shërbime në këtë drejtim janë rritur dukshëm.

Gjatë takimit, znj Hasani e informoi Ministrin Kuçi edhe rreth Rrjetit të Bizneseve për Energji të Pastër (N4CEB), të mbështetur nga Qeveria Gjermane përmes Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, Projekti për Efiҫiencën e  të Energjisë në Kosovë.

Ajo i adresoj rekomandimet e këtij rrjeti, duke dorëzuar një Letër Ministrit nga sektori privat, në emër të N4CEB.

N4CEB, si një zë i unifikuar i kompanive vendase që përfaqësojnë sektorin e lartpërmendur, në letër adresoi këto çështje për zhvillim me prioritet të sektorit si përgjjigje për rimëkëmbjen ekonomike pas Covid 19:

TVSH: Aktualisht, familjet dhe sektori privat i nënshtrohen një TVSH-je të lartë për investime në energjinë solare apo dhe në matjen e efiçiencës së energjisë. Një zvogëlim, apo heqja e TVSH-së do të ulte koston përfundimtare të instalimit për familjet dhe sektorin privat, si dhe do të ulë kohën e kthimit të investimit.

Tregu i përkohshëm: Mbështetja më e mirë që Qeveria mund të ofrojë për këtë sektor, është krijimi i një tregu (artificial) të përkohshëm, i cili mund të arrihet përmes investimeve të Qeverisë në projektet për Efiçiencë të Energjisë dhe matësit RES (burimet e energjisë së ripërtëritshme) drejtë in e furnizimit me energji diellore (solare) në objektet publike siç janë shkollat ​​dhe spitalet, pasi këto institucione janë ndër konsumatorët më të mëdhenj të energjisë elektrike në Kosovë. Kjo do të mundësonte që të dy palët të përfitonin dhe të punonin së bashku për të përmbushur objektivat e furnizimit me energji të ripërtëritshme dhe të kontribuojnë në kursime të konsiderueshme për buxhetin e Qeverisë së Kosovës.

Kompetencat e Bordit të ZRRE-së: Aktualisht është nën përgjegjësinë e bordit të ZRRE-së të aprovojë çdo kapacitet të instalimit të energjisë së ripërtëritshme , përfshirë edhe projektet e vogla dhe instalimet shtëpiake dhe procedurat e matjes neto. Procedurat e tilla kërkojnë  kohë të gjatë dhe i shpërqëndrojnë familjet dhe kompanitë vendore të Kosovës që të instalojnë panele në çatitë e tyre për konsumim privat. Nëse bordi do t'ia delegonte përgjegjësitë e tij autoriteteve ekzekutive të ZRRE-së për të aprovuar ato aplikime matëse neto, që është një nga shqetësimet kryesore të zhvilluesve të projektit, efikasiteti i tyre në miratimin e projektit do të rritej. Liçensimi i besueshëm dhe i thjeshtuar për kapacitete të vogla do të rrisë interesin dhe besimin e bizneseve dhe familjeve për të investuar, ndërkohë që kompanitë private do t'u shërbenin klientëve të vegjël me çmime më të përballueshme;

Roli më proaktiv i një “One Stop Shop”: Aktualisht, ekzistojnë të njëjtat procedura administrative për projekte të rinovueshme të vogla dhe të mëdha. Për më tepër, ekziston një mungesë e koordinimit institucional (Komuna-KEDS-ZRRE) kur ndiqen procedurat e tilla. Pengesat bëjnë që investitorët të presin për një kohë të gjatë për t’u pajisur me lejen e investimit, gjë që çon në rritjen e kostos dhe zvogëlimin e stimujve për investime. Thjeshtimi i procedurave administrative për projekte në shkallë të vogël dhe funksionalizimi i një “One stop Shop” do të lehtësonte barrierat dhe kështu do të nxiste investimet;

Pëlqimi komunal: Për ndërtesat që nuk kanë leje ndërtimi nuk përcaktohet se si autoriteti komunal mund t'i trajtojë këto kërkesa për të dhënë pëlqimin komunal për instalimin e paneleve PV nën procedurat e matjes neto. Komunat mund ta rregullojnë këtë proces duke dhënë pëlqimin e përkohshëm i cili mund të lidhet me vetë ndërtesën në procesin e legalizimit. Procedura mund të rregullohet me rregullore të brendshme komunale që mundëson zhbllokimin e procesit.

NA VIZITONI

Zyra e OEGJK-së:

Icon Tower (Kati 9)
Icon Tower, 10000 Prishtinë, Kosovë

E hënë - e premte: 08:00 - 17:00
Na kontaktoni për të caktuar terminin tuaj.