LIDHJA EKONOMIKE NË MES KOSOVËS DHE GJERMANISË

Shteti më i fortë në Europë gjen partner kredibil në vendin më të ri

Gjermania është shteti me ekonominë më të madhe në kontinentin e vjetër. Kosova është shteti më i ri dhe për koinçidencë është edhe vendi me popullsinë më të re në Europë, por me rritje të qëndrueshme të ekonomisë së saj. Të dyja kanë gjetur pika të forta që plotësojnë njëra-tjetrën në mënyrë perfekte.

Marrëdhëniet tregtare mes Gjermanisë dhe Kosovës janë duke u thelluar gjithnjë e më shumë. Vetëm gjatë vitit 2021, Investimet e Huaja Direkte nga Gjermania në Kosovë, gjatë periudhës janar-qershor, u rritën për 29 milionë, apo 95% në krahasim me vitin paraprak. Ndërkohë edhe në vitin 2020 kishte rritje prej 70%, në krahasim me vitin e mëparshëm, në periudhën e njëjtë. Ndërkohë edhe eksportet kosovare në Gjermani patën rritje substanciale. Sipas të dhënave nga Enti Federal i Statistikave, në periudhën janar-shtator të vitit 2021, eksporti nga Kosova në Gjermani u rrit për 39%. Në periudhën e njëjtë më 2020, eksporti pati rritje edhe më të madhe. Sipas të njëjtit burim, eksportet për këtë periudhë prej vitit 2019 në 2020, u rritën prej 40%.

Sipas Drejtoreshës Menaxhuese të Odës Ekonomike Gjermane-Kosovare, Nora Hasani, vështirësitë që kompanitë gjermane kanë hasur në zinxhiret e tyre të furnizimit gjatë pandemisë, iu kanë mundësuar kompanive kosovare që të bëhen furnitorë për kompani gjermane.

“Për disa kompani gjermane Ballkani Perëndimor, e në veçanti Kosova, janë territor akoma i pa eksploruar, por me shumë potencial për gjetjen e furnitorëve të rinj. Për kompanitë evropiane e gjermane që duan të diversifikojnë furnitorët, prodhuesit kosovarë mund të ofrojnë produkte cilësore që transportohen në rrugë më të shkurtra dhe më të shpejta, se sa kur furnizimi bëhet nga Azia”, ka thënë Hasani, e cila thekson se në OEGJK që nga fillimi i pandemisë janë rritur dukshëm kërkesat nga kompanitë gjermane për të gjetur furnitorë nga Kosova për produkte dhe gjysmë-produkte.

Produktet më të kërkuara nga Kosova në Gjermani në periudhat e lartcekura kanë qenë pajisjet e ndërtimit prej plastikës, thasët dhe çantat për paketimin e mallrave, veshje prej telave të gizës apo çelikut, mobileria dhe produkte metalike.

OEGJK thekson se përmes këshillimit për eksport, trajnimeve dhe aktiviteteve konkrete me asociacionet e saj partnere në Gjermani mbështet në mënyrë të vazhdueshme kompanitë kosovare që kanë synim tregun gjerman.

Vetëm gjatë muajit janar të 2022-ës OEGJK ka përcjellë tri delegacione me investitorë potencialë nga Gjermania, ku dy nga ta kanë vendosur që të hapin kompani në Kosovë.

“Motorët” prapa rritjes së bashkëpunimit

Përkrahja e ekonomisë së jashtme është një pjesë thelbësore e politikës së jashtme gjermane dhe financohet bashkërisht nga shteti dhe ekonomia. Përfaqësitë diplomatike, odat e jashtme tregtare, delegacionet dhe përfaqësitë e tyre, si dhe agjencioni gjerman për promovimin e investimeve GTAI – Germany Trade and Invest mbH e përfaqësojnë dhe e përkrahin ekonominë e jashtme gjermane jashtë vendit. Kësaj në vendet, ku nuk ekzistojnë odat e jashtme tregtare, shumë shpesh i shtohen edhe iniciativat e ndërmarrjeve gjermane dhe lokale.

Në Kosovë, akterët e përkrahjes së ekonomisë së jashtme gjermane në Kosovë janë: Seksioni për Ekonomi i Ambasadës Gjermane, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, e cila ka bashkëpunim të ngushtë me GTAI dhe rrjetin e Odave Ekonomike të Jashtme Gjermane.

OEGJK, si organizatë e bazuar në anëtarësi, përfaqëson mbi 150 kompani dhe është njëri nga facilituesit më të mëdhenj të bashkëpunimit dypalësh.

Qëllimi i OEGJK-së është përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të ekonomisë gjermane në Kosovë dhe e kompanive kosovare që funksionojnë në Gjermani. Gjithashtu, ndër qëllimet primare të OEGJK-së, është edhe thellimi i bashkëpunimit të vazhdueshëm mes bizneseve të dyja vendeve dhe krijimi i hapësirave të nevojshme për rritje të angazhimit biznesor dypalësh.

Vizioni i OEGJK-së, është që në një të ardhme të afërt, të ketë bashkëpunim të shtuar të marrëdhënieve mes ndërmarrjeve kosovare dhe atyre gjermane, për t’i dhënë impaktin e nevojshëm zhvillimit ekonomik të bashkëpunëtorëve tonë e me këtë edhe të të dyja vendeve, me nevojë të shtuar Kosovës.

“Puna në Odë nuk është thjeshtë punë, por mision. Nëse ne arrijmë të këshillojmë si duhet një investitor gjerman dhe ai për shembull krijon 20 vende të reja pune në Kosovë, kjo do të thotë se ka krijuar të ardhura jo për 20 individë, po për 20 familje. E njëjta vlen për kompanitë që ato ta rritin eksportin për në Gjermani, ato e rritin edhe punësimin dhe kështu japim kontribut direkt në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në intensifikimin e bashkëpunimit bilateral ekonomik”, thotë Drejtoresha Menaxhuese, Nora Hasani.

Investimi më i madh i pasluftës

Kosova ka për qëllim të kryejë tranzicionin energjetik duke kaluar nga përdorimi i qymyrit, në atë të burimeve të ripërtrishme. Si anëtare e Komunitetit Europian i Energjisë, Kosova duhet të arrijë objektivat e paracaktuara që lidhen me shfrytëzimin e burimeve siç janë era, uji dhe energjia solare. Në anën tjetër, Gjermania është ndër liderët në prodhimin e energjisë nga turbinat e erës.

Këtu mundësia për bashkëpunim ishte evidente dhe ky rast u konkretizua.

Në vitin 2019, një kompani kosovaro-gjermane-izraelite filloi ndërtimin e turbinave të erës në Shalë të Bajgorës, diku rreth 40 kilometra larg Prishtinës.

Gjithsej 27 turbina të prodhuesit General Electric janë vendosur në kuadër të tri projekteve të ndryshme të erës në Bajgorë, të emëruara Selaci 1, Selaci 2 dhe Selaci 3. Fuqia e përgjithshme e instaluar e prodhimit është rreth 105 megavat. Investimi final ishte 180 milionë eruo.

Projektet janë zhvilluar nga kompania kosovare-gjermane-izraelite ‘SOWI Kosovo’. Prej këtyre turbinave të erës, sigurohen 105 megavatë energji elektrike.

Ish-ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, kishte thënë se konkretizime të investimeve të këtij lloji, do të rritin besueshmërinë dhe do të sjellin edhe investime të reja. Projekti u përurua në vitin 2021 dhe prodhimi i energjisë filloi po atë vit. Në fundin e vitit 2021, Kosova u përballë me krizë energjetike dhe funksionalizimi i këtyre turbinave pritet që sadopak të lehtësojë furnizimin me energji gjatë krizës.

Ambasadori i tanishëm i Gjermanisë, Jörn Rohde, në ditën e inagurimit të këtyre turbinave, falënderoi të gjitha institucionet për bashkëpunimin e tyre për të mundësuar këtë investim.

Kosova kopjon Izraelin

Kosova është ndër shtetet me zhvillimin më të shpejtë të teknologjisë informative në të gjithë Europën dhe në një artikull ndërkombëtar, është thënë se po shkon hapave të njëjtë me Izraelin për sa i përket zhvillimit të hovshëm.

Së fundi, Qeveria e re po përdorë teknologjinë informative për të kryer reformën në administratë duke marrë si shembuj shtete të zhvilluara në këtë aspekt, sikur Estonia, me të cilën edhe ka lidhur marrëveshje sa i përket kësaj çështje.

Kosova e ka popullatën më të re në Evropë dhe tashmë njërin nga nivelet më të larta të kyçjes në internet në Evropë, duke qenë se prin në Ballkan me 84.8 përqind të amvisërive të kyçura; infrastruktura e nevojitur për t’i digjitalizuar institucionet kosovare dhe për ta formuar një gjeneratë të re të programerëve dhe specialistëve të suksesshëm të teknologjisë informative është relativisht e lirë – shumica e njerëzve tashmë kanë kompjutera dhe telefona të mençur.

Në Kosovë tregu është i vogël. Me vetëm rreth 1.8 milionë banorë, me paga mesatare mujore rreth 460 euro dhe një normë punësimi prej 28-29%, Kosova konsumon pak shërbime TIK, si aplikacione apo softuer. Kjo bën që numri në rritje i ekspertëve vendas t‘i eksportojnë shërbimet e tyre, ose të shkojnë jashtë vendit, ku marrin paga më të mira.

Sipas Shoqatës Kosovare të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, STIKK, një zhvillues softuerësh në vitin 2020 mund të presë të fitojë rreth 1000 euro pagë mujore dhe një menaxher projekti në një kompani TIK rreth 900 euro, dyfishi ose trefishi i pagës mesatare.

Gjithsesi, shumë kompani teknologjike lidhin marrëveshje me kompani të vendeve tjera për të maksimalizuar fitimet. Këtu krijohet mundësia reale për bashkëpunim mes kompanive gjermane dhe atyre të Kosovës.

– Shkruar nga Përparim Leka

NA VIZITONI

Zyra e OEGJK-së:

Icon Tower (Kati 9)
Icon Tower, 10000 Prishtinë, Kosovë

E hënë - e premte: 08:00 - 17:00
Na kontaktoni për të caktuar terminin tuaj.

NA NDIQNI NË