Oda Ekonomike Gjermano- Kosovare dhe Fondacioni Gjerman Friedrich-Naumann-Stiftung für die Freiheit (FNF) publikuan Analizën “Sfidat e Qasjes në Tregun e Punës – gratë në moshën e mesme” /„Challenges of Accessing the Labour Market - Middle-Aged Women in Kosovo“

Qasja në tregun e punës për gratë e moshës së mesme në Kosovë është sfiduese, shkalla e papunësisë së grave në Kosovë është alarmante: 78% të grave kosovare të afta për punë, janë jo-aktive në tregun e punës.

Për të analizuar barrierat për qasje në tregun e punës tek gratë e moshës së mesme 40-65 vjeçare, si: diskriminimin gjinor, mungesën e qasjes në mundësitë e arsimit dhe trajnimit, normat kulturore, mundësitë e kufizuara të punës, dhe balancimi i punës me përgjegjësitë familjare, OEGJK bashkë me fondacionin gjerman Friedrich-Naumann-Stiftung für die Freiheit (FNF) publikuan Analizën “Sfidat e Qasjes në Tregun e Punës – gratë në moshën e mesme”.

Në prezencë të zëvendësministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, deputetit të Kuvendit të Kosovës, Besnik Tahiri, kompanive anëtare, përfaqësuesve të fondacioneve gjermane në Kosovë, institucioneve vendore dhe ndërkombëtare u prezantuan të gjeturat dhe rekomandimet nga kjo analizë.

Publikimi, që u hartua nga ekspertet Dr. Saxhide Mustafa dhe Shqipe Gjocaj, ka konstatuar se në Kosovë ka diskriminim të dyfishtë, gjinor dhe në moshë, ka poltika diskriminuese për gratë e moshës 40+, steriotipe favorizuese për popullsinë e re, si dhe ka konkluduar dhe shtjelluar në specifika sfidat dhe barrierat që përballen gratë e moshës së mesme në treg të punës.

Gjithashtu është konstatuar se ka iniciativa të trajnimit inkluziv dhe se bizneset janë të vetëdijshme për lojalitetin, stablitetin dhe përkushtimin që gratë mbi moshën 40 sjellin.

Përpos shpalosjes së të gjeturave të analizës, u mbajt dhe një diskutim rreth temës: “Perspektivat socio-ekonomike mbi sfidat e punësimit me të cilat përballen gratë e moshës së mesme në Kosovë” me panelistë: Agon Dobruna, zëvendësministër në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Nora Hasani, drejtoreshë ekzekutive e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, si dhe Iliriana Gashi, Organizata “Women for Women”.

Analiza ka ofruar rekomandime të vlefshme për politikbërësit dhe institucionet vendimmarrëse, si dhe hapat që duhen ndërmarrë për krijimin e një mjedisi të barabartë dhe gjithëpërfshirës në tregun e punës, duke shërbyer si pikënisje për diskutimet e inkluzionit të grave të moshës së mesme në Kosovë.

Për të shkarkuar Analizën, ju lutemi të klikoni në link-un si në vazhdim: https://www.freiheit.org/de/node/44093

NA VIZITONI

Zyra e OEGJK-së:

Icon Tower (Kati 9)
Icon Tower, 10000 Prishtinë, Kosovë

E hënë - e premte: 08:00 - 17:00
Na kontaktoni për të caktuar terminin tuaj.

NA NDIQNI NË