Nga teoria në praktikë: Angazhimi i Veronës dhe Darisit në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare

Që nga muaji gusht 2025, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) është pasuruar me energjinë dhe përkushtimin e dy praktikantëve të rinj, Verona dhe Daris, të cilët po zhvillojnë praktikën e tyre profesionale përmes programit Kosovo Generation Unlimited (K-GenU).

Përmes përvojave të tyre, ata tregojnë se si puna praktike mund të shërbejë si urë lidhëse mes njohurive akademike dhe botës profesionale.

Për Veronën, mundësia për të aplikuar erdhi si rezultat i kërkimit aktiv për një përvojë profesionale që do t’i mundësonte të mësonte më shumë për sektorin ekonomik në Kosovë dhe lidhjet e tij me Gjermaninë.

“Motivimi im kryesor ishte dëshira për të fituar përvojë në një mjedis profesional dhe për të kuptuar më mirë sektorin ekonomik dhe biznesin në Kosovë,” - tregon ajo.

Që në fillim, Veronës i bëri përshtypje profesionalizmi dhe organizimi i Odës, si dhe hapësira që ajo ofron për të mësuar dhe për t’u angazhuar në projekte reale. Ajo është përfshirë në detyra të ndryshme si përgatitja e dokumenteve, analizimi i të dhënave, mbështetje në organizimin e eventeve dhe aktiviteteve të Odës.

“Përvoja ka qenë shumë mësimore dhe motivuese. Kam përmirësuar aftësitë e mia në analizë, komunikim dhe organizim pune, por edhe në bashkëpunim në grup dhe menaxhim të kohës,” - shton ajo.

Ndërsa për Darisin, mundësia për të qenë pjesë e Odës erdhi përmes platformës K-GenU, dhe motivimi i tij kryesor ishte dëshira për të hyrë herët në tregun e punës dhe për t’u përgatitur për sfidat e botës profesionale.

“Ishte një përvojë e re dhe e panjohur për mua, por shumë e vlefshme. Më dha njohuri dhe aftësi praktike të domosdoshme për punësim,” – shprehet ai.

Gjatë praktikës, Darisi është përfshirë në organizimin e eventeve, përpilimin e raporteve për departamente të ndryshme, mbështetjen e punës së zyrës dhe pjesëmarrjen në takime me anëtarë të Odës. Ai thekson se ka zhvilluar aftësi të rëndësishme si analiza e të dhënave, kërkimi në treg, komunikimi profesional, menaxhimi i kohës dhe zgjidhja e problemeve.

“Kjo praktikë më ka ndihmuar të kuptoj se si funksionon një vend pune dhe si mund të zhvillohem profesionalisht. Eksperienca të tilla hapin dyer për mundësi të reja,” - shton ai.

Të dy praktikantët ndajnë përshtypje të ngjashme për atmosferën e punës në OEGJK, të cilën e përshkruajnë si profesionale, bashkëpunuese dhe mbështetëse.

“Ekipi i Odës është i hapur dhe gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar. Adaptimi në zyrë ishte shumë i lehtë falë mbështetjes që mora,” - tregon Darisi.

Për Veronën dhe Darisin, kjo përvojë nuk është vetëm një hap drejt karrierës profesionale, por edhe një dëshmi e rëndësisë që kanë programet si Kosovo Generation Unlimited, të cilat i fuqizojnë të rinjtë përmes përvojave konkrete dhe ndihmojnë në ndërtimin e urave mes arsimit dhe tregut të punës.

NA VIZITONI

Zyra e OEGJK-së:

Icon Tower (Kati 9)
Icon Tower, 10000 Prishtinë, Kosovë

E hënë - e premte: 08:00 - 17:00
Na kontaktoni për të caktuar terminin tuaj.