Delegacioni i lartë gjerman nga Parlamenti Bavarez fillon vizitën në Kosovë tek Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe kompania anëtare Celonis

Prishtinë më 26.6.2024

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) bashkë me Ambasadën Gjermane në Prishtinë kanë mirëpritur në takim delegacionin e deputetëve nga radhët e CSU të rajonit të Bavarisë të udhëhequr nga Karl Freller.

Vizita e tyre në Kosovë filloi në OEGJK, ku delegacioni u mirëprit nga Nora Hasani, Drejtoreshë Ekzekutive e OEGJK-së bashkë me zv. Ambasadorin Gjerman, Matthias Conrad. Deputetët gjermanë u informuan mbi zhvilimet ekonomike të Repulikës së Kosovës që nga pas lufta e deri më sot, duke vënë theks të veçantë në rritjen e qëndrueshme të investimeve të huaja, e në veçanti ato gjermane, marrë parasysh që investitori më i madh në Kosovë ka qenë dhe vazhdon të jetë Republika Federale e Gjermanisë.

Përveç temave ekonomike, deputetët gjermanë u njoftuan edhe rreth temave aktuale politike, sigurisë së vendit si dhe mundësive për zhvillim dhe bashkëpunim të mëtutjeshëm, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Delegacioni u interesua kryesisht për sektorin e energjisë në Kosovë, ku u njoftuan për Strategjinë e Energjisë 2030, zhvillimet e fundit në këtë sektor, por edhe potencialin që ofron Kosova për tërheqje të investimeve të huaja, e në veçanti investimet në energji solare dhe me erë. Nga Procesi i Berlinit, perspektiva evropiane për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Evropian, reformat në sektorin e energjisë, e deri tek arsimi dhe aftësimi profesional, ishin pikat kyçe të takimit të djeshëm.

“Kur të tjerët janë mirë edhe Bavaria është mirë”, tha deputati i CSU, z. Karl Freller. Ai po ashtu theksoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit të Kosovës dhe Gjermanisë, në veçanti me rajonin e Bavarisë. Më pas, OEGJK ka shoqëruar delegacionin gjerman në vizitë tek kompania anëtare, Celonis - një decacorn gjerman me bazë në Mynih që ka investuar në Kosovë.

Sipas motos së OEGJK, ambasadorët më të mirë të Kosovës janë vetë ndërmarrësit, kompanitë anëtare, Baki Automobile (Partner Volkswagen në Kosovë), LIDL (Tregti), Concentrix Balkans (BPO), MUNDA Kosova (Automotive) dhe Numarics AG (FinTech), kanë ndarë historitë e tyre të investimit të suksesshëm në Kosovë në një drekë pune me deputetët e CSU.

Pas takimeve të frytshme me OEGJK dhe anëtarët e saj, delegacioni do të takohet me Kryeministrin, Albin Kurti, Kryetarin e Parlamentit, Glauk Konjufca, Zëvëndësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Liza Gashi, dhe Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane.

NA VIZITONI

Zyra e OEGJK-së:

Icon Tower (Kati 9)
Icon Tower, 10000 Prishtinë, Kosovë

E hënë - e premte: 08:00 - 17:00
Na kontaktoni për të caktuar terminin tuaj.