Të nderuar anëtarë,
OEGJK javën e kaluar ka shënuar 9 vjetorin e themelimit. Në rrethana tjera, pa pandemi, do të festonim së bashku. Urojmë që 10 vjetorin ta presim bashkë e pa maska!
Duam t’i falenderojmë të gjithë anëtarët themelues, ish-stafin dhe bashkëpunëtorët, partnerët dhe donatorët për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin tonë.
OEGJK ishte themeluar më 16.4.2012, me iniciativë të Ambasadës Gjermane në Prishtinë dhe 39 kompanive themeluese. Kontribut të veçantë në themelimin e Odës kanë dhënë zëvendësambasadori gjerman Matthias Kiesler dhe tanimë i ndjeri, Kahan Ertik – i cili në atë kohë ishte i angazhuar si CIM ekspert gjerman në Odën Ekonomike të Kosovës. Ne u jemi shumë mirënjohës të gjithë anëtarëve themelues, që atë kohë morën pjesë në grupe punuese, hartuan aktet themeluese dhe e vendosën themelin e kësaj organizate, përmes së cilës sot ndihmojmë në formësimin e agjendës së të bërit biznes në Kosovë. Pa ju, nuk do të ishim sot ku jemi.
OEGJK është rritur përmes sfidave që ka kaluar, dhe është rritur bashkë me anëtarët e saj. Sot, më fuqishëm se kurrë më parë kjo Odë luan rol aktiv për të përmirësuar mjedisin e të bërit biznes duke siguruar një zë të respektuar për juve - anëtarët e saj karshi politikëbërësve dhe parlamentarëve.
Vitet e para të themelimit ishin sfiduese, mirëpo me rritje të numrit të anëtarëve dhe partnerëve të fuqishëm në Gjermani e Kosovë, OEGJK mori një rol më të madh mbi supet e saj. Duke u bërë anëtare jo vetëm në Këshille Kombëtare në Kosovë, por edhe në grupe punuese rajonale dhe përfaqësime të OEGJK-së në Gjermani dhe Evropë.
Fuqinë që ka OEGJK sot, e ka falë fuqisë së kompanive që ajo përfaqëson.
Ju falenderojmë për kontributin, angazhimin dhe përkrahjen e pashoq që na jepni si anëtarë. Është kënaqësi e nder për neve që të punojmë për përfaqësimin e interesave tuaja!
Ilir Aliu
Kryetar i Bordit
Nora Hasani
Drejtoreshë Menaxhuese