REKOMANDIME STRATEGJIKE TË KDWV-OEGJK PËR INSTITUCIONET E KOSOVËS PËR VITIN 2026 

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (KDWV-OEGJK) është e përkushtuar për forcimin e raporteve bilaterale dhe shkëmbimit tregtar ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës. Ne këshillojmë, mbështesim dhe përfaqësojmë kompanitë gjermane që operojnë ose synojnë të operojnë në Kosovë, si dhe kompanitë kosovare që bashkëpunojnë me tregun gjerman. Përmes rrjetit tonë prej mbi 200 anëtarë, krijojmë ura bashkëpunimi, zhvillojmë partneritete tregtare dhe promovojmë mundësi të reja investimi.

OEGJK mbetet organizatë me fokus të qartë në rritjen ekonomike, integrimin evropian dhe përmirësimin e klimës së biznesit në Kosovë. Në këtë drejtim, ne propozojmë hapat e mëposhtëm strategjikë për vitin 2026, të bazuara në kërkesat e anëtarëve tanë, bashkëbisedimet me investitorët gjermanë dhe përvojën tonë të  drejtpërdrejtë me ekonominë kosovare.

I. PROMOVIMI I TREGTISË, INVESTIMEVE DHE DIPLOMACISË EKONOMIKE 

1. Tërheqja e investimeve dhe krijimi i mekanizmave të dedikuar të investimit  

Investimet e huaja dhe vendore përbëjnë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik afatgjatë të Kosovës, megjithatë potenciali ekzistues ende nuk është shfrytëzuar në mënyrë sistematike dhe të strukturuar. Për ta shndërruar Kosovën në një destinacion konkurrues për investime, është e domosdoshme krijimi i një kuadri të qartë, të parashikueshëm dhe të qëndrueshëm për investitorët, me fokus të veçantë në sektorët prioritarë si ICT, BPO, energjia e ripërtëritshme dhe industria kreative.

Në këtë drejtim, rekomandohet krijimi i mekanizmave të dedikuar financiarë, përfshirë fonde investive të specializuara dhe instrumente të garantuara nga shteti,si obligacionet zhvillimore, të cilat do të ofronin siguri dhe  transparencë për investitorët strategjikë. Paralelisht, themelimi i një One-Stop Shop për investitorët strategjikë, i shoqëruar me procedura të përshpejtuara për leje, licenca dhe certifikime, do të reduktonte ndjeshëm barrierat administrative dhe do të rriste efikasitetin institucional.

Ofrimi i lehtësirave fiskale të standardizuara për investimet strategjike dhe për zhvillimin e fuqisë punëtore të kualifikuar, së bashku me krijimin e një platforme digjitale që lidh bizneset vendore me investitorët potencialë, do të kontribuonte në ndërtimin e një ekosistemi më të favorshëm për investime. Po ashtu, zhvillimi i zonave të posaçme industriale dhe funksionale, duke përfshirë përshtatjen e legjislacionit  për Planet Zhvillimore Komunale,do të siguronte infrastrukturë të gatshme dhe të planifikuar për projekte investive.

Për më tepër, investitorët duhet të përfshihen në mënyrë aktive në proceset e modernizimit ekonomik dhe integrimit evropian të Kosovës, jo vetëm si burim kapitali,por edhe si bartës të ekspertizës, standardeve dhe praktikave bashkëkohore të menaxhimit. Bashkëinvestimet me institucionet publike dhe partneritetet me rrjete ndërkombëtare do të rrisnin vlerën e shtuar të investimeve dhe do të përshpejtonin integrimin ekonomik dhe institucional të Kosovës në hapësirën evropiane.

2. Diplomacia ekonomike dhe promovimi ndërkombëtar i Kosovës

Rritja e kapaciteteve ekonomike në ambasadat e Kosovës është thelbësore për tërheqjen e investimeve të huaja dhe për pozicionimin më të fortë të ekonomisë së vendit në tregjet ndërkombëtare. Emërimi i atasheve ekonomikë, krijimi i një fushate kombëtare për promovimin e investimeve dhe forcimi i koordinimit ndërinstitucional  do ta përmirësojnë ndjeshëm imazhin ekonomik të Kosovës jashtë vendit. Në këtë proces, diaspora kosovare, veçanërisht ajo në vendet e BE-së,  përfaqëson   një  aset  strategjik,  duke  shërbyer  si urë lidhëse  ndërmjet investitorëve të huaj, bizneseve vendore dhe tregjeve evropiane. Një diplomaci ekonomike aktive dhestrukturuar, që përfshin dhe angazhon diasporën, do  t’u mundësojë bizneseve kosovare të hyjnë më lehtë në tregjet e BE së, të krijojnë partneritete të qëndrueshme ndërkombëtare dhe të rrisin eksportet dhe investimet afatgjata.

II. KLIMA E BIZNESIT, DIGJITALIZIMI DHE SIGURIA JURIDIKE 

3. Integrimi në marrëveshjet ndëkombëtare të transportit dhe lehtësimi i lëvizjes ndërkufitare

Rritja e kapaciteteve ekonomike në ambasadat e Kosovës është thelbësore për tërheqjen e investimeve të huaja dhe për pozicionimin më të fortë të ekonomisë së vendit në tregjet ndërkombëtare. Emërimi i atasheve ekonomikë, krijimi i një fushate kombëtare për promovimin e investimeve dhe forcimi i koordinimit ndërinstitucional  do ta përmirësojnë ndjeshëm imazhin ekonomik të Kosovës jashtë vendit. Në këtë proces, diaspora kosovare, veçanërisht ajo në vendet e BE-së,  përfaqëson   një  aset  strategjik,  duke  shërbyer  si urë lidhëse  ndërmjet investitorëve të huaj, bizneseve vendore dhe tregjeve evropiane. Një diplomaci ekonomike aktive dhestrukturuar, që përfshin dhe angazhon diasporën, do  t’u mundësojë bizneseve kosovare të hyjnë më lehtë në tregjet e BE së, të krijojnë partneritete të qëndrueshme ndërkombëtare dhe të rrisin eksportet dhe investimet afatgjata.

4. Top-Level Domain (TLD) i Kosovës dhe sovraniteti digjital

Për të forcuar identitetin digjital të Kosovës dhe përmirësuar integrimin në tregjet ndërkombëtare, është e nevojshme që Qeveria të angazhohet në lobimin për njohjen dhe aprovimin e një domeni të nivelit të lartë (TLD). Kjo do të forconte sovranitetin digjital të Republikës së Kosovës dhe do të rriste sigurinë kibernetike, duke lehtësuar qasjen e bizneseve dhe institucioneve vendore në hapësirën digjitale globale. Në të njëjtën  kohë,do të rriste besueshmërinë e infrastrukturës digjitale të vendit dhe do të krijonte mundësi të reja për investime dhe bashkëpunim ekonomik.

III. REFORMAT ADMINISTRATIVE DHE INFRASTRUKTURA EKONOMIKE

5. Ulja e barrës administrative

Bizneset hasin shpesh në procedura të gjata dhe dokumente të dyfishta. Standardizimi i proceseve administrative dhe krijimi i një sistemi të integruar mes ATK dhe ARBK do të përmirësonte ndjeshëm efikasitetin e sektorit privat. Kjo reformë jo vetëm që redukton kohën dhe kostot për bizneset, por edhe rrit transparencën institucionale. Tutje, digjitalizimi i procedurave doganore, përmirësimi i infrastrukturës së transportit dhe zbatimi i praktikave të avancuara logjistike janë parakushte për rritjen e eksportit dhe për tërheqjen e investimeve në sektorin e prodhimit. Meqenëse Kosova synon të lidhet më fuqishëm me infrastrukturë ndërkombëtare, modernizimi logjistik është thelbësor për integrimin e vendit në zinxhirët globalë të furnizimit.

6. Rifunksionalizimi i Këshillit Ekonomiko-Social

Rifunksionalizimi i këtij Këshilli është i domosdoshëm për të vazhduar dhe zhvilluar më tutje dialogun social në Republikën e Kosovës për çështjet që lidhen me marrëdhëniet e punës, mirëqenien sociale dhe politikat ekonomike. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian (EESC), pasi një dialog social funksional dhe i institucionalizuar përbën parakusht për përfaqësim kredibil dhe pjesëmarrje substanciale të Kosovës në proceset konsultative të Bashkimit Evropian.

IV. ARSIMI, TALENTI DHE TREGU I PUNËS

7. Arsimi profesional dhe sistemi dual

Kosova ka nevojë urgjente të analizojë dhe të zhvillojë profilet deficitare profesionale në sektorët teknikë, industrialë dhe teknologjikë, të cilët janë kyç për rritjen ekonomike dhe tërheqjen e investimeve. Përvoja e deritanishme e mbështetur nga GIZ Kosova dhe ekosistemi gjerman ka dëshmuar se bashkëpunimi i strukturuar ndërmjet shkollave profesionale, universiteteve dhe bizneseve, përmes modelit të arsimit dual, është një nga mjetet më efektive për të lidhur arsimin me nevojat reale të tregut të punës.

Ky model mundëson kompanive qasje më të shpejtë dhe më cilësore në fuqi punëtore të kualifikuar, ndërsa të rinjve u ofron aftësi praktike, punësim dhe perspektivë karriere brenda vendit, duke kontribuar njëkohësisht në uljen e migrimit dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Gjermani.

V. DIALOGU PUBLIKO–PRIVAT

8. Përfshirja e sektorit privat në hartimin e legjislacionit

Procesi i hartimit të ligjeve duhet të jetë përfshirës dhe i ndërtuar mbi konsultime reale e të strukturuara me sektorin privat. Përfshirja e hershme e odave ekonomike, shoqatave të biznesit dhe investitorëve në grupet punuese për politikat ekonomike nuk përfaqëson humbje kohe,por përkundrazi kursim kohe dhe rritje të cilësisë së vendimmarrjes. Ky dialog parandalon gabime në fazën e zbatimit, redukton nevojën për ndryshime të shpeshta ligjore dhe shmang kosto të panevojshme për bizneset dhe shtetin. Politikat e hartuara në këtë mënyrë janë më të zbatueshme, më të qëndrueshme dhe më të harmonizuara me praktikat e Bashkimit Evropian, duke prodhuar efekt pozitiv të drejtpërdrejtë në klimën e biznesit, konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe besimin e investitorëve.

Janar, 2026

BESUCHEN SIE UNS:

Büro der KDWV:

Icon Tower (9. Stock)
Rr. Tirana, 10000 Pristina, Republik Kosovo

Montag bis Freitag: 08:00 – 17:00 Uhr
Termine nach Absprache.