
Prishtinë, më 15 Prill 2025
Pas një procesi të rregullt të intervistimit dhe përzgjedhjes nga Bordi i Drejtorëve të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), Besnik Vasolli është emëruar Drejtor Ekzekutiv i OEGJK.
Me mbi 25 vjet përvojë pune në sektorin privat dhe atë publik, dhe një sfond të gjerë në menaxhimin e projekteve ndërkombëtare, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, z. Vasolli sjell me vete një ekspertizë që përkon me misionin e Odës: forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Që nga themelimi i saj, OEGJK ka luajtur një rol kyç në ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale Kosovë–Gjermani, duke krijuar platforma të qëndrueshme për bashkëpunim ekonomik dhe shkëmbim të përvojave ndërmjet komunitetit të biznesit të të dyja vendeve.
Si Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, z. Vasolli do të udhëheqë OEGJK-në në zgjerimin e rrjetit të anëtarëve dhe avancimin e shërbimeve që Oda ofron për bizneset kosovare dhe investitorët potencialë gjermanë.
OEGJK është themeluar më 17 Prill 2012, me iniciativë të Ambasadës Gjermane në Kosovë dhe 39 ndërmarrjeve kosovare. Sot, OEGJK numëron mbi 200 kompani anëtare – gjermane dhe kosovare – që veprojnë në fusha të ndryshme të shkëmbimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.