Koha për të nënshkruar të ardhmen… Nevoja urgjente për funksionalizimin e plotë të nënshkrimit elektronik në Kosovë

Besnik Vasolli nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK)

Në një kohë kur ekonomitë digjitale përparojnë me hapa të shpejtë, Kosova ende mbetet peng i burokracisë tradicionale. Ndonëse ligji për identitetin elektronik dhe shërbimet e besuara është miratuar dhe ekzistojnë ofrues të certifikuar, në praktikë nënshkrimi elektronik ende nuk po funksionon plotësisht.

Kjo është një çështje që preokupon në mënyrë të vazhdueshme anëtarësinë tonë, si kompanitë gjermane edhe kosovare që veprojnë në sektorë kyç të ekonomisë. Po ashtu, është një temë që diskutohet shpesh në kuadër të Fintech Kosova – FIKS, ku anëtarët theksojnë sfidat që hasin, sidomos në rastet kur gjykatat ose përmbaruesit nuk e njohin fuqinë juridike të nënshkrimit elektronik.

Ku është problemi dhe pse ka rëndësi për ekonominë?

Zbatimi i vonuar i nënshkrimit elektronik mbetet një ndër sfidat kryesore në Kosovë. Edhe pse korniza ligjore ekziston dhe janë bërë hapa përpara, procesi i lansimit dhe i pranimit nga të gjitha institucionet publike ka mbetur pezull. Në shumë raste, gjykatat dhe përmbaruesit ende kërkojnë dokumente të nënshkruara me dorë, duke bllokuar procese që mund të përfundonin shpejt dhe pa kosto shtesë. Kjo situatë reflekton mungesë koordinimi mes institucioneve dhe sektorit privat, pasi ende nuk ekziston një politikë e qartë që e bën të detyrueshëm pranimin e nënshkrimit elektronik. Si rezultat, të dy palët mbeten të pasigurt dhe të kufizuara në përfitimet që ofron digjitalizimi.

Ky problem ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit. Për bankat dhe fintech-un, nënshkrimi elektronik është çelësi për hapje tërësisht digjitale të llogarive, dhënie kredish dhe zhvillim të shërbimeve inovative të pagesave. Pa të, Kosova nuk mund të ecë hap në hap me trendet evropiane si Open Banking apo SEPA. Për bizneset, përfitimet janë të dukshme, kontratat do të mbylleshin më shpejt, kostot administrative do të uleshin ndjeshëm dhe do të rritej konkurrueshmëria e ndërmarrjeve në tregjet ndërkombëtare. Po ashtu, për investitorët e huaj, një infrastrukturë funksionale e nënshkrimit elektronik do të shërbente si sinjal se Kosova është një vend serioz për të bërë biznes, me standarde të krahasueshme me ato të Bashkimit Evropian.

Çfarë duhet të ndodhë?

Për ta bërë funksional nënshkrimin elektronik dhe për të përshpejtuar transformimin digjital në Kosovë, nevojiten hapa të qartë dhe të koordinuar. Së pari, duhet të realizohet lansimi i plotë i platformës kombëtare eID, duke shoqëruar këtë proces me një udhëzim zyrtar që detyron çdo institucion publik të pranojë nënshkrimin elektronik. Në të njëjtën kohë, Banka Qendrore e Kosovës duhet të japë dritën e gjelbër për proceset bankare plotësisht digjitale, duke mundësuar hapjen e llogarive dhe nënshkrimin e kontratave pa nevojën e dokumenteve fizike.

Për më tepër, është thelbësore që pesë procese kyçe të digjitalizohen sa më shpejtë:  regjistrimi i bizneseve, lejet komunale, kontratat e punës, autorizimet tatimore/doganore dhe marrëveshjet bankare. Kjo do të ulte ndjeshëm burokracinë dhe do të rriste efikasitetin institucional. Së fundi, gjykatat dhe përmbaruesit duhet të trajnohen dhe të pajisen me udhëzime të qarta që garantojnë njohjen ligjore dhe të barabartë të nënshkrimeve elektronike, duke siguruar kështu zbatim të drejtë dhe të njëtrajtshëm në të gjitha nivelet. Përveç udhëzimeve teorike, gjykatat duhet të pajisen edhe me software teknike për verifikim të certifikatave dhe të kenë qasje në listën e Ofruesve të Shërbimeve të Besuara (Trusted List of Qualified Providers).

Për OEGJK-në, kjo reformë nuk është vetëm çështje teknike, por një reformë ekonomike që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e sektorit privat, në rritjen e konkurrueshmërisë dhe në integrimin e Kosovës në tregun evropian. Prandaj, bëjmë thirrje institucioneve shtetërore që të mos humbin më kohë, të pranojnë, të zbatojnë dhe të masin përdorimin e nënshkrimit elektronik. Vetëm kështu mund të sigurojmë që bizneset tona të mos ngecin në letër, por të ecin drejt një të ardhmeje digjitale dhe evropiane.

BESUCHEN SIE UNS:

Büro der KDWV:

Icon Tower (9. Stock)
Rr. Tirana, 10000 Pristina, Republik Kosovo

Montag bis Freitag: 08:00 – 17:00 Uhr
Termine nach Absprache.