

Unioni i Bizneseve Kosovare nga Gjermania, ka ndarë 15 grante për kooperativën “Krusha“, nga Krusha e Madhe. Këtë aktivitet bamirës të Unionit, e ka mbështetur edhe Oda Ekonomike Gjermano – Kosovare, e cila do të përkrahë anëtaret e kësaj shoqate, me këshilla profesionale në biznes, si dhe lehtësim në lidhjen e bashkëpunimeve të Shoqatës me bizneset e ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu, projekti është përkrahur në organizim edhe nga shoqata “Gratë në Biznes“
Union i Bizneseve Kosovare-Gjermane (UBKGj) me seli në Köln të Gjermanisë dhe Oda Ekonomike Gjermane në Kosovë (OEGjK), kanë organizuar në fshatin Krushë e Madhe ceremoninë e ndarjes së 15 granteve për biznese të grave në Kosovë, 4 prej të cilëve i janë dhënë anëtareve të Kooperativës Bujqësore “Krusha”.
Presidenti i Odës Ekonomike Gjermano Kosovare z. Samir Krasniqi, ka vlerësuar lartë angazhimin e Unionit të Bizneseve Kosovare nga Gjermania, duke theksuar se ndihmesat e tilla janë impulse shtesë dhe motivim për punë të mëtejme të kësaj organizate. Ky nuk është projekti i parë i Unionit të Bizneseve Kosovare në Gjermani që ndihmon shoqatën “Gratë në Biznes“ dhe kjo sipas z. Krasniqi është dëshmi e një përkushtimi të vazhdueshëm që bëjnë qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit.
Zëvendëspresidenti i UBKGj z. Gani Nuha, tha se ndihet i emocionuar që gjendet në fshatin që aq shumë i ka dhënë lirisë së Kosovës.
“Jam i emocionuar për faktin se ne po bëjmë një punë shumë të vogël në krahasim me atë që kemi mundësi të bëjmë, për këto nëna, për këto motra, që me mund, me sakrificë po bëjnë shumë për të rritur fëmijët e tyre, po bëjnë shumë për t’ia kthyer krenarinë e këtij fshati. UBKGj do të vazhdojë bashkëpunimin dhe përkrahjen për Krushën“, premtoni z. Nuha.
Përfaqësuesi i Familjes Jashari, i pranishëm në këtë aktivitet z. Murat Jashari, njëherësh edhe anëtarë nderi i Unionit të Bizneseve Kosovare në Gjermani, shprehu respektin dhe mirënjohjen për gratë dhe nënat shqiptare dhe për rolin e tyre në të gjitha kohët për të mbajtur dhe për të ruajtur vitalitetin e kombit.
“Askund nuk mund të ketë shembull më të mirë të gruas shqiptare sesa në Krushë të Madhe, ku gratë sfiduan dhimbjen e mentalitetin dhe rrisin fëmijët e tyre dhe rindërtojnë jetën“, potencoi Jashari.
Znj. Fahrije Hoti nën lidershipin e të cilës është themeluar Kooperativa e grave “Krusha”, tha se Gratë e Krushës janë simbol i paqes, i dijes, i vullnetit dhe i suksesit.
Kryetari i fshatit Krushë e Madhe, z. Selami Hoti, falënderoi donatorët dhe organizatorët për nderin që po i bëjnë Krushës së Madhe, fshatit që i dha vendit 241 burra e gra që ngeli me 560 fëmijë jetimë por asnjëherë nuk u dorëzua.
Pas ndihmës së ofruar për Shoqatën nga Unioni dhe Oda Ekonomike Gjermano Kosovare, të pranishmit kanë vizituar varrezat e dëshmorëve në Krushë të Madhe dhe Shtëpinë Muze të veprimtarit prof.dr. Ukshin Hoti.

