Në hapjen e takimit të parë mbi themelimin e “Klubit të Investitorëve të Huaj”, kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu ka folur për qëllimin e themelimit të këtij klubi dhe njëherit ka ftuar të gjitha Odat dhe kompanitë investuese në Kosovë që ta përkrahin këtë iniciativë.

Gërxhaliu theksoi se misioni është të udhëheq politikat dhe strategjitë e vendit në lidhje me tërheqjen e IHD-ve, të koordinuara nëpërmjet rrjetit të zyrave të Odave Ekonomike për mbështetje të investitorëve dhe Agjensionit për Promovimin e Investimeve Kosovare. “Garantimi i një efikasiteti dhe koordinimi më të madh në përpjekjet tona për të promovuar dhe tërhequr investime të huaja në mënyrë që të nxiten IHD-të dhe kësisoj të kontribuohet në zhvillimin ekonomik të vendit tonë.Pra, ky klub duhet të funksionojë si mundësi e përmirësimit të ambientit të të bërit biznes në Kosovë dhe bashkëveprim i Odave Ekonomike që të adresojnë vërejtjet e kësaj kategorie tek instancat e caktuara”, ka thënë ai.

Sipas tij, qëllimi kryesor mbetet, mbështetja dhe lobimi për interesat e investitorëve të huaj, promovimi i ambientit afarist në Kosovë dhe përmirësimi i performancës së investitorëve të huaj nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta.

Kjo iniciativë e OEK-ut në bashkëpunim me  GIZ-n gjerman është ndërmarrë duke vërejtur ngecjet dhe pengesat në mungesën e investimeve (apo investimeve të vogla) nga investitorët e huaj që konsiderohen të jenë: mungesa e bashkëpunimit në mes të investitorëve të huaj në Kosovë; mungesa e informacionit mbi institucionet ekzistuese në Kosovë; mungesa e hulumtimit të tregut; vështirësitë në aranzhimin e kontratave të bashkëpunimit dhe lidhjet e biznesit me sektorin e tregtisë; mungesa e motivimit për t’u përballur me infrastrukturën e tanishme të të bërit biznes në Kosovë.

Në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues të Odës Sllovene në Kosovë; Odës Turko-Kosovare; Odës Kroate në Kosovë; Odës Gjermane; Odës Italiane (Instituti ICE) Odës Austriake në Kosovë; Kompania Buçaj; Petrol Oti Slovenia; IPKO; ProCredit Bank; Devolli Corporation; Xella Kosova; Standard dhe Agjencioni për Promovim të Investimeve në Kosovë.

Në takim u vendos që bordi të përbëhet nga të gjitha Odat Ekonomike prezent në takim dhe nga Oda Ekonomike Amerikane e cila ka konfirmuar gatishmërinë për bashkëpunim.

Bordi i këtij klubi iu adresua me propozim Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik për zgjerim të këtij këshilli me përfaqësuesit e Odës Gjermane dhe asaj Turko-Kosovare, nën ombrellën e Klubit për Investitorë të Huaj.