Gjykata Komerciale mund të luajë rol vendimtar në mbështetjen e rimëkëmbjes së shpejtë ekonomike në Kosovë. Nora Hasani, drejtoresha menaxhuese e OEGJK-së u takua me përfaqësues të programit të USAID-it për Drejtësi Komerciale. Ky program mbështeti Ministrinë e Drejtësisë në hartimin e një projektligji për Gjykatën Komerciale, i cili tani është i gatshëm për miratim. Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, që nga fillimi i programit për drejtësi komerciale – ishte aktive duke dhënë kontribut në grupet punuese që u mbajtën me ekspertë dhe palë të interesuara – si gjyqtarë, avokatë dhe përfaqësues të sektorit privat e shoqërisë civile.

 

OEGJK në dokumentin e publikuar “Forcimi i marrëdhënieve ekonomike me Gjermaninë – Dymbëdhjetë propozime nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) për fituesit e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës 2021” përsëriti kërkesën për themelimin e një gjykate komerciale, pasi që mangësitë në sundimin e ligjit janë njëra nga pengesat kryesore për investitorët e diasporës nga Gjermania, siç tregojnë të gjeturat nga studimi i fundit i kryer nga OEGJK.

 

Me miratimin e Ligjit për Gjykatën Komerciale bizneset e Kosovës dhe investitorët e huaj do të kishin një adresë të vetme për ngritjen e kërkesave të tyre dhe përshpejtimin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve komplekse komerciale. Kështu do të rritej siguria në proceset gjyqësore dhe do të rindërtohej besimi në sistemin gjyqësor.