Drejtues të Odës Ekonomike Gjermano Kosovare, kanë pritur në takim një delegacion nga Shoqata për Përkrahjen e Ekonomisë Konkurruese nga Gjermania, të cilin e përbënin z. Peter Spary, Günter Kohl dhe Peter Paul Thoma. Në këtë takim, drejtori ekzekuitv i OEGJK-së, z. Albert Matoshi, i ka informuar shkurtazi mysafirët për historikun e ri të Odës, punët e tashme dhe planet për të ardhmen.

Drejtori ekzekutiv i OEGJK-së z. Albert Matoshi, ka thënë se Oda Ekonomike Gjermano Kosovare, është themeluar në vitin 2012 me iniciativën e disa bizneseve në vend dhe me mbështetjen e plotë të Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë, dhe deri më tani ka një numër të konsiderueshëm të ndërmarrjeve anëtare, duke u shërbyer me besnikëri dhe ndihmuar në tejkalimin e problemeve që mund të kenë. Ai ka theksuar se OEGJK është e interesuar të ketë bashkëpunime me të gjitha organizatat gjermane që merren me çështje ekonomike, për të ndërlidhur veprimin dhe forcuar lidhjet mes bizneseve të të dyja vendeve.

Peter Spary, duke falënderuar z. Matoshi për punën e mirë, ka thënë se si shoqatë, do të jenë lobues aktiv, që të rritet, qoftë numri i anëtarëve të OEGJK-së apo edhe i bashkëpunimeve mes organizatave simotra, për të lehtësuar operimin e bizneseve kosovare e gjermane, në të dyja shtetet.

Peter Paul Thoma, është interesuar të dijë më shumë për bizneset kosovare që merren me sektorin e energjisë në vend, duke e konsideruar këtë si një nga potencialet më të mira që ka Kosova për zhvillim ekonomik dhe një nga hapësirat më të mira që bizneset kosovare dhe ato gjermane mund të bashkëpunojnë. Lidhur me këtë, z. Matoshi i ka njoftuar mysafirët se në OEGJK janë disa ndërmarrje kosovare por edhe gjermane që shtrijnë aktivitetin e tyre në këtë sferë dhe kanë treguar performancë shumë të mirë në afarizmin e tyre.Ndryshe, z. Matoshi i ka njoftuar anëtarët e Shoqatës për Përkrahjen e Ekonomisë Konkurruese nga Gjermania, se OEGJK mbanë raporte shumë të mira me disa mekanizma institucional ekonomik në Gjermani, në mesin e tyre edhe me Unionin e Bizneseve Shqiptare.