Me iniciativë të Rrjetit CSR Kosovë, Komisionit Evropian, CSR Europe, BITC dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, është ndarë Shpërblimi Evropian CSR në Kosovë. Në një ceremoni të organizuar në Prishtinë, kompanitë “Meridian” dhe “SharrCem” u shpërblyen si kompanitë më të përgjegjshme ndaj komunitetit dhe shoqërisë, me projektet “Investimi në Fëmijët në nevojë”, përkatësisht “Bordi Lokal i Pavarur dhe Këshillues”.

Kryesuesi i Bordit të Rrjetit, CSR Kosovë dhe njëherit drejtori i Përgjithshëm i Bankës Raiffaissen, Robert Wright, ka prezantuar projektet fituese. “Përmes aplikimit të parimeve të CSR, bizneset demonstrojnë përkushtimin e tyre për të punuar me të gjithë akterët relevant në zhvillimin e një agjende të qëndrueshme  ekonomike, ndërsa në anën tjetër”, ka deklaruar ai.

Kurse zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, ka vlerësuar se kjo iniciativë është e mirëseardhur dhe se është me rëndësi për zhvillim.

Ajo është shprehur e kënaqur për faktin se Kosova ka kompani të cilat vazhdimisht pasqyrojnë parime të përgjegjshme të cilat janë të mira si për biznesin ashtu edhe për shoqërinë.

“I ftojë të gjitha kompanitë, duke përfshirë edhe bizneset e vogla dhe të mesme, që të aplikojnë parimet e Përgjegjësisë Shoqërore Korporative në politikat e tyre strategjike te biznesit”, ka deklaruar aji.

Edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, ka shprehur mbështetjen e saj mbi këtë iniciativë, duke theksuar se në bazë të Strategjisë së BE-së për Ndërmarrësinë 2020, secili biznes duhet të integrojë plotësisht parimet e CSR-it duke kontribuar në rritje të zgjuar, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Përfaqësuesit e dy kompanive fituese, Agon Gashi, nga “Meridian”, dhe Emmanuel Mitsou nga “SharrCem”, u shprehën të kënaqur që kontributi i tyre ndaj komunitetit është shpërblyer dhe premtuan se do të vazhdojnë me praktikën e njejtë edhe në të ardhmen.
Gashi dhe Mitsou do të jenë pjesëmarrës të Ceremonisë së madhe të ndarjes së Shpërblimit CSR në Bruksel më 26 qershor 2013, ku do të marrin pjesë zyrtarë të nivelit të lartë dhe do të përfaqësohen shumë kompani evropiane.

Rrjeti CSR i Kosovës është një organizatë joprofitabile, joqeveritare e themeluar me qëllim  të përkrahjes së kontributit të zhvillimit për rritje të qëndrueshme ekonomike, përmes promovimit të përgjegjësisë shoqërore korporatave, ndërsa shpërblimi Evropian CSR në Kosovë është iniciativë e mbështetur nga CSR Evropë, Bitc, Komisioni Evropian dhe Oda Amerikane në Kosovë dhe do t’u ndahet çdo vit kompanive më përgjegjëse ndaj shoqërisë.

Epoka e Re  30.05.2013 | 10:00