Drejtuesit e Sektorit të Ndërtimit brenda Odës Ekonomike Gjermano Kosovare, kanë shprehur pakënaqësi me shumë çështje që ndërlidhen me fushën e tyre. Ata janë shprehur veçmas të indinjuar me disa nga vendimet që aplikon Komuna e Prishtinës, duke paralajmëruar se moszgjidhja e ankesave, do t´i detyrojë të ndërmarrin hapa kundërshtues publik, pa përjashtuar edhe protestat

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano Kosovare z. Albert Matoshi, ka pritur në një takim anëtarët e sektorit të ndërtimit. Duke dashur të njoftohet me detajisht me ecurinë e punës së këtyre sipërmarrësve, z. Matoshi ka thënë se OEGJK, u mbetet mbështetës dhe do të prezantoj zërin e tyre në instancat më të larta për të kontribuuar në përmirësimin e gjendjes. Ai u ka bërë të njohur qëndrimin e OEGJK-së edhe për Kodin e Ndërtimit, çështje të cilën z. Matoshi tha se e ka ngritur edhe në takimin që kishte kohë më parë në Këshillin Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik.

Gani Mehmeti, pronar i kompanisë ndërtuese “Nartel“, tha se ndërtuesit po ballafaqohen me shumë probleme, sidomos ai ka veçuar disa barriera që aplikon Komuna e Prishtinës.

“Taksa e Densitetit e cila paguhet 13.70 euro për metër katror, nuk duhet të jetë e tillë, pasi ajo paguhet në tërësinë e objektit, pra përfshinë edhe hapësirat publike. Një taksë e tillë, është në rregull të paguhet për hapësirat banuese, por është e jashtëligjshme që të paguhet edhe për hapësirat e përbashkëta në ndërtimet e larta“, ka thënë z. Mehmeti.

Duke e elaboruar më tej këtë problem, ai ka shtuar se kjo taksë nuk është e bazuar në asnjë ligj, por e mbështetur në një vendim që ishte marrë nga komuna në kohën kur kryetar ishte z. Isa Mustafa.

“Të njëjtin vendim, e ka hedhur poshtë Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, duke e konsideruar të jashtëligjshëm. Por çuditërisht, në rastin e Komunës së Prishtinës më shumë vlen vendimi se ligji. Në ndërkohë, Komuna e Prishtinës në vend se ta shfuqizoj atë, sikur ka shfuqizuar shumë vendime të ish kryetarit Mustafa, ajo e aplikon atë në kundërshtim me ligjin dhe në kundërshtim me vendimin e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor“, tha z. Mehmeti.

Brehim Selimaj përfaqësues i kompanisë “Elsa Group“, njëherësh edhe kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve të Kosovës, tha se do të jenë në mbështetje të plotë të punës së OEGJK-së dhe në të ardhmen do të bashkërendojnë aktivitetet për të dhënë kontributin në përmirësimin e gjendjes.

Drejtori ekzekutiv i OEGjK-së, z. Matoshi, tha se OEGJK mbetet e hapur dhe e gatshme gjithherë që të jetë angazhuese në çdo iniciativë pozitive që vie nga struktura e anëtarëve të Odës.

Në këtë takim të mbajtur në ambientet e Odës Ekonomike Gjermano Kosovare, të pranishëm ishin edhe z. Bahtir Dervisholli nga kompania “Dervisholli Com“, përfaqësues të kompanisë “Euro Besi“, përfaqësues të kompanisë “Krapi Com“, etj.