Presidenti i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), Remzi Ejupi, në kuadër të aktivitetit ndërkombëtar të bashkëpunimit të OEGJK-së me odat tjera gjermane, ishte këto ditë në vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe për një takim pune me Dr. Peter Goepfrich, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermane për Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar dhe Oman, si dhe përfaqësues i Dhomës   së Tregtisë dhe Industrisë së shtetit gjerman në Gjirin Persik.

Vizita ka të bëjë me sforcimin dhe intesifikimin e bashkëpunimit ndërmjet odave gjermane të shtrira në gjithë botën.

Me këtë rast, Remzi Ejupi, nga nikoqiri i tij dr. Peter Goepfrich u njohtua lidhur me aktivitetin e Odës Ekonomike Gjermane në këtë regjion (Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar dhe Oman), me mundësitë e bashkëpunimit si dhe të përfaqësimit të ndërsjellë.

Dr. Peter Goepfrich e njohtoi Ejupin lidhur me mundësinë, që Oda Ekonomike Gjermane e Gjirit Persik – njësoj si me Kroacinë – të promovojë edhe Kosovën karshi investorëve të shumtë të këtij regjioni, si dhe t’i sjellë të njëjtit për vizita në Kosovë.

Me këtë me rast, presidenti i Bordit të Odës Ekonomike Gjermano Kosovare, Remzi Ejupi, prezentoi aktivitetin njëvjeçar të Odes Ekonomike Gjermano-Kosovare, si dhe shpalosi karshi Peter Goepfrich dhe bashkëpunëtorëve e përfaqësuesve të tij në Katar dhe Oman, mundësitë e investimeve në Kosovë, me theks të veçantë në sferën e energjisë, atë të minierave e mineraleve, në atë të teknologjisë informative, si dhe të turizmit dimëror në Brezovicë (tenderi i të cilit është ende i hapur).

Aktualisht, në Kroaci dhe Serbi, është intensifikuar jashtëzakonisht shumë fluksi i investorëve dhe investimeve nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Omani – dhe vizita e Remzi Ejupit në këtë regjion, ka për qëllim që edhe Kosova, përmes rrjetit të Dhomave të Tregtisë e Industrisë Gjermane gjithandej në botë – të përfaqësohet sa më denjësisht e profesionalisht, dhe të nxë hapin e ofertimit karshi investorëve të shumtë të Gjirit Persik dhe regjionit të Golfit.

Publikuar nga ” Zëri ” 02.04.2013