Përshtatje e kritereve, diskriminimi, mungesa e besueshmërisë ndaj mekanizmave për trajtimin e ankesave, nepotizëm, favorizim, etj. Këto janë disa nga problemet që po e përcjellin prokurimi publik.

Merita Mustafa nga KDI ka vlerësuar se Prokurimi publik në Kosovë vazhdon të sfidohet edhe më tej në aspektin e krijimit të një ambienti konkurrues për bizneset. Sipas saj, me gjithë ekzistimin e bazës ligjore, institucionet vendore vazhdojnë të rrezikojnë konkurrencën e drejtë, duke ndikuar kështu edhe në rrezikimin e bizneseve dhe falimentimin e tyre. Ajo ka thënë se mungesa e konkurrencës së mirëfilltë po rrit dyshimin për keq-menaxhim të parasë publike. “Sipas raporteve analitike të KDI/TIK për prokurimin publik, aspektet e kryesore që po ndikojnë në mungesën e një ambienti të tillë janë: përshtatja e kritereve apo manipulimi i tyre në favor të bizneseve të caktuara; mungesa e besimit të institucioneve për mekanizmat e ankesës (OSHP, Gjykatat); mungesa e transparencës, mungesa e çmimeve referente, etj”, ka thënë Mustafa.

Nga ana tjetër, Blerim Ahmeti, u.d. i drejtorit të Departamentit të Tregtisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka folur për obligimet që MTI ka ndaj prokurimit publik. “Të gjithë i detyrohemi ligjit për prokurim publik. Në MTI, aspekti administrativ (që përfshinë parkun e bizneseve, panairet) bazohet në obligimet që dalin nga ky ligj. Pjesët e detajuara të prokurimit publik nuk janë kompetencë e MTI-së, por e institucioneve kyçe: KRPP, AQP, OSHP”,ka thënë ai.

Ndërkohë, Bardhyl Metaj nga Oda Ekonomike Gjermane në Kosovë ka dhënë shembujt e dy kompanive private shumë të suksesshme dhe përvojën e tyre në prokurimin publik. “Njëra, me përvojë 25 vjeçare në prokurim publik, asnjëherë drejtpërdrejtë nuk ka qenë e kontraktuar nga Autoritetet Kontraktuese, por vetëm si nën-kontraktore. Kjo ka fituar punë vetëm prej organizatave ndërkombëtare që kanë kryer punë në Kosovë. Edhe e dyta, ka qenë vetëm dy herë e kontraktuar drejtpërdrejtë edhe atë me tenderë të vogël, ndërkaq asnjëherë me tenderë të mëdhenj”, ka thënë ai, ndërkohë ka shtuar se kompanitë private duhet t’i punësojnë nga dy punëtorë gjatë tërë vitit që të merren vetëm me aplikim në tenderë, pra ka shpenzime të mëdha. Po ashtu, ai ka thënë se për shkak të shumë parregullsive në këtë fushë ka shumë kompani serioze e të specializuara, të cilat vazhdimisht po tërhiqen nga aplikimi për në marrjen e tenderëve.

Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje ka vlerësuar se situata aktuale e Prokurimit Publik është shqetësuese për bizneset e mesme dhe të vogla. Sipas saj, çdo kriter që shtohet, krijon edhe barriera shtesë për bizneset e mesme dhe të vogla. Ligji siç ka thënë ajo do të duhej të krijoj potencial duke favorizuar bizneset vendore/ produktet vendore. “Ligji aktual po i anashkalon bizneset e vogla dhe të mesme vendore, që përbejnë rreth 90 % të të gjitha bizneseve në Kosovë, në fushën e prokurimit publik”, ka thënë Haxhiu.

Nga ana tjetër, pjesëmarrësit në debat kanë ngritur edhe shqetësime tjera rreth konkurrencës në prokurimin publik., sipas tyre, anashkalimi i transparencës për tenderët nën 10.000 euro, marrëveshjet paraprake joligjore të bizneseve dhe problemet në zbatimin e kontratave. Po ashtu, është ngritur çështja e përshtatjes se kritereve, si dhe mungesës së çmimeve referente dhe punës së OSHP-së. Një aspekt tjetër me rëndësi që është përmendur ka të bëjë me nevojën për ndryshime të aspekteve të caktuara të ligjit, sikurse çështja e ndarjes së ligjit në njërën anë për mallra dhe shërbime dhe në anën tjetër për projekte kapitale.