Drejtori për Zhvillim Ekonomik në komunën e Gjilanit, Agim Zuzaku, priti në takim përfaqësuesit nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), Albert Matoshi – drejtor ekzekutiv dhe Ejup Gojnovci – menaxher i Marrëdhënieve me Publikun, me qëllim të bashkëpunimit dhe të koordinimit të aktiviteteve të përbashkëta të cilat do të ndikojnë në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Komunës së Gjilanit.

Kërkesë e Odes Ekonomike Gjermano Kosovare ishte vazhdimi i ngritjes së kapaciteteve për punë profesionale, sepse kjo është edhe një prej kërkesave të vendeve të huaja për resurse njerëzore me shkolla profesionale.

Drejtori për Zhvillim Ekonomik nw KK tw Gjilanit, Agim Zuzaku, u njoftua nga Albert Matoshi, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermane rreth aktiviteteve të odës të cilat kanë për qëllim të ndihmojnë dhe bashkëpunojnë kompanitë të cilat kanë kapital nga vendet gjermanofolëse.

Matoshi tha se OEGjK ofron ndihmë kompanive vendore për të depërtuar në tregun gjerman, ndërkaq shpalosi projektin “SES” i cili ju ofron bizneseve asistencë teknike duke ofruar ekspertë ndërkombëtar “Senior Expert Services” për dhënien e këshillave kompanive kosovare.

Matoshi u bëri thirrje të gjitha kompanive të Komunës së Gjilanit që të anëtarësohen në Odën Ekonomike Gjermane në mënyrë që të përfitojnë nga ky dhe projekte tjera me vlerë për aktivitetin e tyre.

Ndërsa, z. Zuzaku, i njoftoi të pranishmit me potencialin që ka Komuna e Gjilanit dhe mundësitë për investime nga jashtë duke i prezantuar edhe projektin për Zonën Ekonomike në Llabjan dhe projektet që janë të mundshme përmes Partneritetit Publiko-Privat.

Theks të veçantë iu kushtua edhe investimeve të huaja, në këtë rast investitorëve gjerman e zviceran, ku mund të ketë bashkëpunim më të ngushtë mes OEGjK dhe Komunës së Gjilanit me qëllim të ndihmës së tërheqjes së investimeve të huaja direkte.

Zuzaku tha se mbështetje e madhe është duke ju dhënë edhe nga kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, për tërheqjen e investitorëve kryesisht kapitalit të diasporës, duke ju krijuar mundësi për investime.

Ai gjithashtu tha se bashkëpunimi do të jetë i mirëseardhur dhe se si komunë do të mundohen t’i ndihmojmë OEGjK-së me qëllim që investitorët të ndihmohen për çfarëdo lloj këshille që të kenë nevojë.

Gjatë vizitës në komunën e Gjilanit, përfaqësuesit e OEGJK-së, kanë takuar edhe disa nga bizneset që janë anëtare të OEGJK-së. Në takim me pronarët e kompanisë turistike “Dardani QM“, z. Matoshi është interesuar rreth aktivitetit të saj dhe problemeve që ata mund të hasin, duke u ofruar gjithë ndihmën e nevojshme. Gjithashtu, në këtë komunë është vizituar dhe janë takuar edhe drejtuesit e ndërmarrjes gjermane “SKK“ për të parë se cilat janë problemet më të mëdha me të cilat ata ballafaqohen gjatë procesit të punës së tyre. Drejtues të OEGJK-së, këto aktivitete janë duke i mbajtur me të gjithë anëtarët e saj, për të mësuar më shumë rreth punës së tyre e në veçanti për të identifikuar dhe bashkërisht trajtuar pengesat që ato mund t´i kenë gjatë punës së tyre.