Oda Ekonomike Gjermane e Kosovës dhe Unioni i Bizneseve Shqiptare në Gjermani, do të realizojnë në bashkëpunim një nga projektet e radhës e që ka të bëj me dërgimin për shërim të 10 personave nga Kosova në Gjermani, që lëngojnë nga sëmundje që nuk arrihet të kurohen në vendin tonë.

Ky projekt, i iniciuar nga Unioni i Bizneseve Shqiptare në Gjermani që drejtohet nga z. Ejup Berisha, ka gjetur përkrahjen e menjëhershme të Odës Ekonomike Gjermane. Gjatë takimit në ambientet e OEGJK-së, presidenti z. Samir Krasniqi, ka falënderuar kryetarin e Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani z. Ejup Berisha, nënkryetarin z. Gani Nuha dhe sekretarin e kësaj organizate z. Nexhmedin Veliqi, duke e vlerësuar lartë angazhimin human të drejtuesve të Unionit.

Në takim, për ecurinë më të mirë të punës, në krye të komisionit është ngarkuar dr. Naim Bardiqi i mirënjohur për punën e tij edhe në këtë sferë, i cili në bashkëpunim të ngushtë më Unionin e Bizneseve Shqiptare në Gjermani dhe Odën Ekonomike Gjermano Kosovare, do të angazhohen që ky projekt të përmbyllet brenda këtij viti në mënyrën më të mirë të mundshme.

Presidenti i OEGJK-së, z. Krasniqi e ka vlerësuar si një angazhim të jashtëzakonshëm dhe një përkushtim me vlerë të drejtuesve të Unionit për të ju ofruar mundësi personave të sëmurë që të gjejnë trajtim adekuat në spitalet gjermane. Kryetari i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, z. Ejup Berisha ka njoftuar se kanë arritur marrëveshje më një spital shumë të njohur nw shtetin gjerman për trajtimin e 10 pacientëve nga Kosova dhe se të gjitha shpenzimet e mundshme për ta, do të jenë të mbuluara nga spitali dhe nga Unioni i Bizneseve Shqiptare në Gjermani.

Nënkryetari i Unionit z. Gani Nuha, tha se trajtimi i këtyre të sëmurëve do të përfundoj brenda këtij viti kalendarik ndërsa ka precizuar se rastet që do të kenë mundësi të përfitojnë nga ky projekt, janë ato të cilat nuk mund të kenë tretman në Kosovë dhe që kanë të bëjnë me nevojat për trajtim kirurgjik.

Sekretari i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, z. Nexhmedin Veliqi tha se për këta pacientë, është duke u shqyrtuar mundësia që të sigurohen edhe mjetet e transportit, çka do të bënte që trajtimi i 10 të sëmurëve kosovarë do të bëhej pa asnjë shpenzim nga familjarët.

Ndryshe dr. Naim Bardiqi, e ka pranuar me kënaqësi rolin e kryetarit të komisionit për përzgjedhjen e pacientëve dhe mbarëvajtjen e gjithë procesit, duke e vlerësuar lartë angazhimin human të Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani dhe të Odës Ekonomike Gjermano Kosovare.