

Oda Ekonomike Gjermano Kosovare dhe Tribunali i Përhershëm i Arbitrazhit, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.
Marrëveshja mes OEGJK dhe TPA krijon mundësi shtesë në zgjidhjen e problemeve të mundshme të bizneseve anëtare të Odës Ekonomike Gjermano Kosovare, duke shfrytëzuar kapacitetet që ofron TPA. Kjo marrëveshje ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve për përfundimin e lëndëve kontestimore, me të cilat bizneset mund të ballafaqohen gjatë procesit të tyre të punës.
Gjithashtu ajo jep mundësinë e promovimit të arbitrazhit si metodë jashtëgjqysore, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve komerciale midis bizneseve. Në bazë të saj, parashihet që për mosmarrëveshjet eventuale për transaksionet midis bizneseve gjermane dhe kosovare, t’ju rekomandohet zgjidhja e tyre pranë Tribunalit të Arbitrazhit.
Në emër të Odës Ekonomike Gjermano Kosovare marrëveshja është nënshkruar nga Ejup Gojnovci, ndërsa Vegim Kraja e ka firmosur atë në emër të Tribunalit të Përhershëm të Arbitrazhit që funksionon pranë Odës Ekonomike të Kosovës.