

Oda Ekonomike Gjermano Kosovare dhe organizata gjermane Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) dhe, kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi për përkthimin (sinkronizimin) e disa filmave, përkthimin e librave profesional dhe mbajtjen e trajnimeve për ndërmarrjet dhe trajnerët në Kosovë.
Nënshkrimi i memorandumit është bërë nga presidenti i Odës Ekonomike Gjermano Kosovare z. Samir Krasniqi dhe nga përfaqësuesi i GIZ z. Christoph Heil. Ky memorandum parasheh bashkëpunimin e OEGJK-së dhe GIZ në përkthimin e filmave të shkurtër, përkthimin e librave profesional dhe trajnimet e punonjësve të ndërmarrjeve kosovare për avancim në ofrimin e shërbimeve.
Pas përzgjedhjes së filmave nga ekspertët profesional dhe mbledhjes së tyre në një databazë ata do të përkthehen dhe do të kontrollohen nga së paku dy ekspertë të fushës në Kosovë e në Shqipëri, në mënyrë që të jenë sa më mirë të transmetueshëm dhe të vihen në funksion të ndërmarrjeve. Kjo do të bëhet duke i shpërndarë ata në portal platformë online, ngarkimi i tyre në rrjetin youtube dhe pozicionimi i tyre në Wiki-VET platformën.
Edhe përzgjedhja dhe përkthimi i librave po ashtu do të jetë një ndihmë shumë e madhe për avancimin e kuadrove profesionale në Kosovë. Përzgjedhja e tyre do të bëhet në përputhje me kapitujt që janë të domosdoshëm dhe kjo do të bëhet pasi të merret licenca për të drejtën e shfrytëzimit të tyre. Pas përkthimit, këto libra do të vihen në shfrytëzim si materiale në formën PDF. Për përkthim sa më të mirë dhe meqë këto libra do të shfrytëzohen edhe në Shqipëri, do të angazhohen edhe ekspertë nga atje, në mënyrë që harmonizimi dhe përmbledhja e termeve të caktuara profesionale bashkë me sqarimet e nevojshme, të jenë të funksion të kuptueshmërisë së plotë. Më pas edhe këto libra do të vendosën ne platformën Wiki – VET të Kosovës dhe do të mund të shpërndahen apo shkarkohen me pagesë nga të gjithë të interesuarit.
Ndërsa skema e zhvillimit të trajnimeve për ndërmarrjet dhe trajnerët në Kosovë, përfshinë regjistrimin e ndërmarrjeve për këtë trajnime, bartjen e dëshirave të ndërmarrjeve për trajnime, listimin e trajnimeve të ofruara, vendimin për organizimin e kurseve, informimin dhe dërgimin e instruksioneve për mënyrën e pagesës së trajnimit, përgatitjen, implementimin e trajnimit dhe identifikimin e trajnerëve të ardhshëm.
Të tri këto module, janë parë si të rëndësisë së veçantë për ngritjen profesionale të ndërmarrjeve në Kosovë.
Christoph Heil nga GIZ, tha se ky projekt ka rrjedhur natyrshëm, pasi është evidente mungesa e profesionistëve të fushave në Kosovë dhe kjo metodë, është shumë e mirë për të rritur kualifikimin e të punësuarve dhe vetë ndërmarrjeve.
“Në shkollat e Kosovës nuk ka shumë materiale me të cilat nxënësit do të mund të aftësoheshin mirëfilli profesionalisht“, ka thënë Christoph Heil.
Presidenti i OEGJK-së z. Samir Krasniqi, ka vlerësuar se ky projekt do të ndihmojë shumë të gjithë ata që duan të ecin me mënyrat më bashkëkohore të avancimit të ofrimit të shërbimeve dhe me patjetër që ka ndikim në zhvillimin e ndërmarrësisë në Kosovë.
“Të kemi në fokus trajnimet praktike, të prekshme dhe efikase në mënyrë që të kemi zinxhirë të efektit pozitiv“, ka thënë z. Krasniqi.
Anëtari i Odës Ekonomike Gjermano Kosovare z. Sulejman Berisha, tha se avancimet profesionale janë të pandalshme dhe vetëm duke qenë në koherencë me to, ndërmarrjet e Kosovës mund të mbërrijnë vlerat më të mira profesionale.
Ndryshe në këtë konferencë ku u prezantua ky projekt, në bazë të një hulumtimi që ka bërë OEGJK, u janë ndarë mirënjohje dhe certifikata bizneseve kosovare të cilat në vazhdimësi merren me avancimin e punonjësve të tyre. Sipas anketimit, fitues ka dal të jetë kompania “Elen“ e cila i kushton një rëndësi të posaçme ngritjes së profesionalizmit dhe shërbimit në punë.