Në kuadër të vizitave nëpër komunat e Kosovës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, vizitoi Komunën e Mamushës, atë të Dragashit, të Vitisë dhe Komunën e Ferizajt, për përkrahje të ekonomisë lokale. Në këto takime, në shoqëri të presidentës Jahjaga, ishte edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano Kosovare z. Albert Matoshi. 

Zhvillimi ekonomik, përkrahja e bizneseve vendore dhe atyre ndërkombëtare, krijimi i lehtësirave për to, statusi i pronave, problemet e taksave në nivel lokal dhe qendror dhe një varg problemesh të tjera u trajtuan gjatë takimeve me kryetarët e këtyre katër komunave.

Sikur edhe në vizitat në komunat e tjera, ajo u shoqërua nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomik Amerikane, Arian Zeka, dhe kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi.

Kryetari i Mamushës, Arif Butuc, ai i Dragashit, Salim Jenuzi, i Vitisë, Sokol Haliti dhe kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa theksuan nga ana e tyre përvojat e punës me bizneset dhe sfidat me të cilat përballen në këtë fushë.

Pas përmbylljes së vizitave të sotme, presidentja Jahjaga theksoi se patën takime shumë intensive me secilin kryetar komune, ku diskutuan hollësisht lidhur me gjendjen e përgjithshme në kuadër të komunave, veçanërisht për agjendën ekonomike dhe të arriturat ekonomike që kanë pasur këto komuna.

“Sfidat, problemet dhe vështirësitë që i dëgjova në këto komuna ishin po ato që i kemi dëgjuar dy ditët e fundit. Qëllimi i gjithë kësaj iniciative që në mënyrë të drejtpërdrejtë t’i adresojmë këto sfida, në mënyrë që bizneseve dhe investitorëve të ndryshëm, brenda dhe jashtë Kosovës, t’iu mundësojmë që ta investojnë kapitalin e tyre në Kosovë, me qëllimin e vetëm që të gjenerojnë vende të reja të punës për qytetarët e Kosovës, veçanërisht për rininë. Po ashtu, që të përmirësojmë kualitetin e jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Jahjaga.

Ajo shtoi se ka ardhur momenti i fundit që të gjejnë zgjidhje institucionale për të gjitha sfidat, si në nivelin lokal ashtu edhe në nivelin qendror, në mënyrë që të garantojnë një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik për vendin dhe për qytetarët.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi theksoi se vizitat e zhvilluara në tre ditët e fundit, së bashku me presidenten Jahjaga, ishin shumë të suksesshme, gjatë të cilave u njohën me sfidat, me problemet, me të cilat ballafaqohen komunat dhe komunitetet e biznesit.

Matoshi tha se problemet me të cilat ballafaqohen komunat janë pothuaj të njëjta dhe ndërlidhen me problemet me prona, me mundësitë e punësimit, problemet e investimeve strategjike e të tjera, duke shtuar se ekziston një vullnet i plotë i të gjithë kryetarëve të komunave që t’ju ndihmojnë bizneseve në Kosovë, por edhe atyre potenciale që vijnë nga jashtë.