


Në debatin e organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano Kosovare e mbështetur nga fondacioni gjerman Friedrich Ebert Stiftung, është diskutuar mbi “Implementimin e Pakos së re Fiskale, efektet një muaj pas. Presidenti i OEGJK-së, z. Samir Krasniqi, tha se pakoja e re fiskale, nëse merret në tërësinë e saj, është pozitive, porse ajo duhet analizuar në çdo segment për të parë se në cilët nga ta ka krijuar lehtësira dhe cilët nga segmentet tjera nuk janë të favorshëm për biznesin dhe konsumatorin.
Ai ka thënë se Kosova, është duke kaluar kohë të keqe ekonomike dhe ka ngecje të theksuara në zhvillim. Kjo sipas të parit të OEGJK-së, është pasojë e mosseriozitetit të treguar nga qeveritë me radhë, ndërsa kulmi i keqësimit të gjendjes, është shënuar në vitin 2014 për shkak të vakuumit institucional që e përcolli vendin.
“Ekonomia kosovare ka kohë që është në gjendje të vështirë. Të bërit biznes pa dyshim se është vështirësuar. Ky mendoj se është një konstatim i njëzëshëm i të gjitha bizneseve. Si ka ardhur kjo, sigurisht është si rrjedhojë e politikave ekonomike e të gjitha qeverive që nga paslufta e deri më sot. Kulminacioni i vështirësive të të bërit biznes arriti në vitin 2014”, tha z. Krasniqi.
Ai ka thënë bizneset kanë pritur shumë më tepër nga ndryshimet fiskale, ndërsa ka numëruar disa nga pikat kryesore që janë prekur nga to.
“Lirimi nga dogana e linjave të prodhimit, është ndryshim pozitiv, por duhet të themi se pjesa më e madhe e tyre, ato që janë importuar nga vendet anëtare të CEFTA-s, kanë qenë të liruara edhe më parë. Gjithashtu, ulja e pragut për bizneset që futen në TVSH nga 50 në 30 mijë euro qarkullim, është shumë pozitive pasi kjo do të ketë efektin e vet në luftën kundër informalitetit“, ka thënë z. Krasniqi.
Në fjalën e tij në këtë forum z. Krasniqi përmendi edhe elemente të pakos së re fiskale të cilat kanë efekte negative, sidomos për konsumatorin. Ai tha se përshkallëzimi i TVSH-së nga 16 për qind sa ishte në 8 për qind, përfshinë vetëm një gamë të ngushtë të produkteve, kurse ngritja e TVSH-së nga 16 në 18 për qind, kapë pjesën dërrmuese të produkteve të konsumatorit. Dhe kjo, sipas z. Krasniqi, për efekt ka rritjen e kostos së jetës për qytetarin të paktën 1,5 për qind.
Drejtoresha e fondacionit gjerman Friedrich Ebert Stiftung në Kosovë, znj. Besa Luzha, tha se organizimi i të tilla debateve me tema të rëndësishme për ekonominë e vendit, është model shumë i mirë, pasi do të ketë mundësi që gjithsecili të jap mendimin dhe kontributin e tij në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë znj. Hykmete Bajrami, ka thënë se ndryshimet e reja fiskale, nuk janë bërë sa për ta rritë buxhetin e vendit, por për të krijuar lehtësira për jetën e qytetarit dhe të biznesit në përgjithësi.
“Ne jemi këtu për të biseduar për pakon e re fiskale, për këtë mandat dhe për atë se çka ka ndodh me këta dhjetë muajt e mandatit. Ju e dini shumë mirë që kemi marrë vendime të cilat kanë qenë shumë jo popullsite dhe kanë qenë vendime shumë të vështira. Para disa jave është marr vendim në qeveri për heqjen e të gjitha shtesave që i kanë shërbyesit civil dhe nuk kemi bërë asnjë politikë fiskale për ta rritë buxhetin, por i kemi ulë taksat”, tha Bajrami.
Ajo ka kërkuar bashkëpunimin e bizneseve për luftimin e korrupsionit dhe të evazionit fiskal.
“Ka indikacione që po luftohet evazioni fiskal për arsye se të hyrat nga Dogana dhe ATK-ja janë rritur. Ndërkohë që ne kemi pasur një rritje ekonomike vetëm për 3 për qind dhe të hyrat nga ATK-ja janë rritur 9 për qind, të hyrat nga dogana janë rritur për 8 për qind. Kah vijnë këto të hyra pra, ato vijnë pikërisht nga lufta ndaj evazionit fiskal dhe nuk priten mrekulli të ndodhin. Mirëpo për luftën kundër evazionit fiskal dhe kundër korrupsionit, na nevojitet bashkëpunimi juaj”, tha Bajrami
Lulzim Rafuna, drejtor i Doganave të Kosovës, tha se doganat nuk kanë pasur asnjë vështirësi në zbatimin e pakos së re fiskale.


“Nuk ka pasur prej ditës së parë asnjë problem. Ne me kohë i kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe të gjitha lirimet e parapara sipas kodeve doganore janë duke u aplikuar, siç janë disa produkte të lëndëve të para, si gruri, qumështi me normë të tatimit të shkallëzuar etj.”, tha Rafuna.
Nahit Sharku, U.D i drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës, tha se një nga synimet e pakos së re fiskale është përmirësimi i ambientit të të bërit biznes dhe mirëqenies sociale.
“Synimet kryesore të kësaj pakoje fiskale dhe programit që ne kemi pranuar në institucionet përkatëse ka qenë që të përgatisim legjislacionin i cili do t´i plotësonte kushtet për të krijuar një ambient më të lehtë e më të mirë për biznes, nxitje të punësimit, mirëqenie për qytetarët e Kosovës dhe të përmirësohet bilanci tregtar i vendit”, tha Sharku.
Përfaqësues të shoqërisë civile në këtë takim, kanë vlerësuar se rritja e TVSH-së nga 16 në 18 për qind, ka qenë e pa nevojshme dhe se sipas tyre kjo është bërë me qëllim që të krijohen të hyra më shumë në buxhetin e Kosovës.
Këto shqetësime i paraqiti, Agron Demi, nga institute GAP, duke theksuar se rekomandimi I tyre para ndryshimeve fiskale, ka qenë që të mos ketë rritje të TVSH-së.
“Pako e re fiskale do t’i rrit çmimet për konsumator dhe atë e kemi vërtetuar në bazë të analizave tek shporta e konsumatorit që llogaritet prej Agjencisë së Statistikave, dhe kjo për neve ka qenë pak shqetësuese. Kjo ka qenë një prej rekomandimeve të mia që mos të ketë rritje të TVSH-së prej 16 në 18 për qind me qëllim që të krijoj këto lehtësira”, tha Demi.
Përfaqësuesit e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, kanë paralajmëruar se do të organizojnë takime të rregullta në të ardhmen në mënyrë që të diskutohen çështje të ndryshme ekonomike në vend.