

Gjermania e cila konsiderohet si shteti që ka investuar më së shumti që nga paslufta në Kosovë do t’i dalë në ndihmë sërish Kosovës. Kësaj radhe mbi 20 milionë euro janë premtuar nga Qeveria gjermane se do të investojë brenda këtij viti. Këto investime sipas ministrit të Financave, Besim Beqaj, do të bëhen në disa projekte siç është furnizimi me ujë, shkarkimi i ujërave të zeza, arsimimi i të rinjve, punësime të reja si dhe do të ndihmohen të rinjtë në zhvillimin profesional me anë të trajnimeve të ndryshme.
Ministri Beqaj këto investime i ka quajtur të rëndësisë së veçantë, të cilat sipas tij do të ndihmojnë në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve të Kosovës. “Duke marrë parasysh se orientimet e ardhshme të qeverisë gjermane janë që të jepen mbi 20 milionë euro shtesë brenda këtij viti, tregon një përkushtim të qeverisë gjermane për qytetarët e Kosovës dhe një besim të taksapaguesve gjermanë për zhvillimet në Republikën e Kosovës”, ka thënë Beqaj. Edhe investimi në ngrohtoren e qytetit të Prishtinës është një projekt, i cili, sipas Beqajt, do të përfshihet në këto investime. “Projekt mjaft i rëndësishëm është vazhdimi i projektit për ngrohtoren e qytetit dhe lidhjen e saj me Kosovën B”, ka thënë ai. Beqaj tha se Kosova është shumë e nderuar që ka një vend mik si Gjermania dhe populli gjerman.
“Gjithashtu, shfrytëzoj rastin që të shpreh komplimentet e mia për stafin e ambasadës tuaj në Kosovë, dhe agjencitë mbështetëse si GIZ dhe KFW, me të cilat kemi një bashkëpunim të shkëlqyer”, ka thënë Beqaj për të shtuar se Gjermania është kontribuuesi dhe donatori më i madh i Kosovës. “Prej vitit 1999 deri më tani ju keni kontribuar në zhvillimin e Kosovës në shumën prej 420 milionë euro, të cilat janë dhënë dhe zotuar si donacione dhe financime për projekte në fusha të ndryshme”, ka thënë Beqaj
Ndërsa, ambasadori gjerman në Kosovë, Peter Blomeyer, ka thënë se shteti i tij ka mbështetur Kosovën që nga koha e luftës dhe këtë po vazhdon ta bëjë edhe tani. Ai ka thënë se investimet e tyre i orientojnë kah kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës dhe se furnizimi me ujë të pijshëm, shkarkimi me ujëra të zeza dhe furnizimi me ngrohje janë pikat ku ata interesohen për kosovarët. “Konsultimet ndërqeveritare që zhvilluam në këtë takim reflektojnë, pasqyrojnë gjendjen e shkëlqyeshme të marrëdhënieve tona dhe do të vejmë themelin e bashkëpunimit tonë në të ardhmen. Ne mendojmë se është me rëndësi të madhe që ta mbështesim Kosovën edhe gjatë rrugës së saj drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë ambasadori Blomeyer.
Sipas tij, një element i rëndësishëm në këtë rrugë është pajtimi me fqinjët. “Sa i përket kësaj pike kemi pasur përparime të mëdha duke iu referuar marrëveshjes dhe planit implementues. Po ashtu jemi të interesuar të japim një kontribut për zhvillimin e demokracisë, për zhvillimin e shoqërisë civile dhe mbështetjen e shërbimit publik”, ka thënë ai.
Ndërsa përfaqësuesi i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Gjermanisë, Stefan Mironjuk, duke folur për rëndësinë e këtyre projekteve dhe këtij investimi ka thënë se Gjermania e konsideron Kosovën si njërin nga vendet më të rëndësishme për bashkëpunim. “Kosova është një nga vendet më të rëndësishme për bashkëpunim ekonomik jo vetëm të Ministrinë Gjermane të Zhvillimit Ekonomik por për Gjermaninë në përgjithësi”, ka thënë Mironjuk.
Publikuar: 06.06.2013
Gazeta ” Zëri “