

Delegacioni i Shoqatës për Përkrahjen e Ekonomisë Konkurruese nga Gjermania, i përbërë nga z. Peter Spary, Günter Kohl dhe Peter Paul Thoma, gjatë vizitës në Kosovë, pos takimeve me drejtuesit e Odës Ekonomike Gjermano Kosovare, kanë vizituar edhe biznese anëtare të OEGJK-së.
Ata janë shprehur të mahnitur me punën profesionale dhe përkushtimin e bizneseve kosovare, duke i vlerësuar në rang të njëjtë me ndërmarrje të suksesshme në Gjermani.
Mysafirët gjerman të shoqëruar edhe nga z. Lulzim Pllana konsul në ambasadën e Kosovës në Gjermani, znj. Elmaze Pireva drejtoreshë e Departamentit për Diplomaci Ekonomike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe stafin e OEGJK-së, fillimisht u pritën nga z. Mehdi Zhugolli drejtor ekzekutiv i kompanisë “Eco Trade“ dhe stafi i ngushtë i tij. Kompania “Eco Trade`´, njëra nga nismëtarët e themelimit të OEGJK-së, është ndër ndërmarrjet e dëshmuara në Kosovë dhe përfaqësuese direkte e disa prej brendeve më të mëdha gjermane për territorin e Kosovës e më gjerë. Drejtori i kësaj kompanie me seli në Prishtinë z. Zhugolli, në fjalën e tij ka bërë një retrospektivë të punës së ndërmarrjes, duke thënë se me biznes merret që nga vitet e 80-ta të shekullit të kaluar, ndërsa punën në lëmin e tashme, e ka filluar në vitin 1999 pas përfundimit të luftës në Kosovë. Ndërmarrja “Eco Trade“, është përfaqësuese gjenerale e disa prej firmave më të njohura gjermane si “FAG“, “INA“, “Komatsu Ltd“, “KSB Group“, “Siemens“, “ThyssenKrupp Fordertechnik“, “TRIBOTEC“ dhe “VOITH“. I pari i kompanisë “Eco Trade“ z. Zhugolli, tha se janë të përkushtuar që në tregun e Kosovës të ofrojnë më të mirën e mundshme, duke u mbështetur në përvojën mbi 15 vjeçare dhe në kualitetin e produkteve gjermane që përfaqësojnë.
“Prodhimet gjermane, janë shumë të mirëpritura në Kosovë dhe kjo është e ndërlidhur me shumë faktorë, nisur nga e kaluara jonë e përbashkët si vende, meqë shumë qytetarë të Kosovës kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në Gjermani, nga kualiteti i padiskutueshëm që kanë prodhimet gjermane dhe preciziteti, korrektësia e dëshmuar dhe kultura gjermane e punës në përgjithësi“, tha z. Zhugolli.
Ai i ka njoftuar mysafirët gjerman se është njëri nga iniciatorët për themelimin e Odës Ekonomike Gjermano Kosovare, duke shprehë bindjen se me ndryshimet që kanë ndodh, gjërat janë vënë në binarë për të ecë në drejtim të duhur.
Drejtuesi i delegacionit z. Peter Spary, është shprehur i mahnitur dhe shumë i gëzuar që ka takuar në Kosovë një ndërmarrje me kualitete të punës siç është “Eco Trade“, duke theksuar se e kupton tani arsyen se pse disa nga kompanitë lidere gjermane, siç është “Siemens“ apo “ThyssenKrupp Fordertechnik“, bashkëpunojnë ngushtë me ndërmarrje kosovare.




“Ju urojmë shumë për punën e shkëlqyeshme që bëni. Asociacioni që ne përfaqësojmë, do të ketë nderin që të ju ndihmoj në gjetjen e partnerëve të ri për bashkëpunim dhe ne ndihemi krenarë që jeni anëtarë i Odës Ekonomike Gjermano Kosovare“, ka thënë z. Spary.
Ai ka ftuar z. Zhugolli, që të jetë pjesë e një konference që do të mbahet në Gjermani në muajin nëntor të këtij viti, e në të cilën do të marrin pjesë përfaqësues të shumë ndërmarrjeve të mëdha nga Gjermania, në mesin e tyre edhe qytetarë të Kosovës që kanë arrit të ngritin kompani të suksesshme në shtetin gjerman.
Gjatë vizitës së tyre në disa nga bizneset anëtare të OEGJK-së, delegacioni gjerman është pritur edhe nga drejtuesit e kompanisë “Jaha Energy“, që tashmë është në finalizim e sipër të objektit të fabrikës për prodhimin e paneleve solare dhe materialeve tjera në fushën e energjisë së ripërtërishme. Drejtori ekzekutiv i kësaj ndërmarrje, e cila po investon mbi 10 milion euro, z. Fadil Hoxha i ka njoftuar ata për punën që janë duke e bërë, përvojën e tyre në biznes të krijuar në Kosovë e Gjermani, si dhe produktet që së shpejti do të nisin të dalin nga fabrika e tyre e vendosur në fshatin Sllatinë të Fushë Kosovës.
“Prodhimet tona do të jenë të kualitetit më të mirë botëror, pasi janë me licencë gjermane dhe ato janë të orientuara kryesisht për eksport. Kërkesat janë të mëdha dhe ne po përgatitemi që të fillojmë me prodhimin dhe plasimin e tyre gjithandej ku kërkohen“, ka thënë z. Hoxha.
Edhe gjatë vizitës në këtë ndërmarrje, e cila me fillimin e punës pritet të punësoj një numër të konsiderueshëm të punëtorëve, mysafirët gjerman kanë mbet të impresionuar. z. Spary, tha se është mrekulli të shohësh një burrë të ri në moshë si z. Hoxha, të shkolluar e edukuar në Gjermani dhe që bën një investim me kaq vlerë për të ardhmen energjetike në vendin e vet.
“Kjo është një vlerë humane e patriotike. Ndihemi krenar me njerëzit sikur ju dhe duam të besojmë shumë në arritjen e sukseseve të dëshiruara“, ka thënë ai.
Ndryshe, delegacioni gjerman i shoqëruar edhe nga zyrtarët kosovar dhe përfaqësuesit e OEGJK-së, janë pajtuar për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit.