Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano Kosovare z. Albert Matoshi, ka pritur në një takim kryesuesit e sektorëve. Në këtë takim, njohës, z. Matoshi ka kërkuar nga kryesuesit e sektorëve që të njoftohet direkt nga ta me problemet që hasin gjatë punës së tyre.

Drejtori i OEGJK-së, z. Matoshi, pasi ka prezantuar përvojën e tij, të pranishmëve u ka thënë se OEGJK është dhe do të vazhdoj të jetë qendra e adresimit të problemeve të tyre, në mënyrë që më pas ajo të transmetoj ato në organet më të larta të vendit, për t´u dhënë kahje zgjidhjes së tyre. Gjithashtu ai u ka premtuar angazhim të shtuar për të rritur bashkëpunimin mes bizneseve të Kosovës dhe atyre nga Gjermania. Z. Matoshi, duke folur shkurtazi për projeksionin e tij për zhvillimin dhe rritjen e kapaciteteve të OEGJK-së, ka thënë se është i bindur në përmbushjen e objektivave të synuara.

Baki Abdullahu, kryesues i Sektorit të Automobilizmit, ka vlerësuar pozitivisht vizitën e ditë më pashme të drejtorit z. Matoshi në ndërmarrjen e tij, duke theksuar se “ndonëse drejtori i ri është përzgjedhur rishtazi në këtë pozitë, gjetja kohë për të vizituar ndërmarrjet anëtare të OEGJK-së, tregon një qasje shumë pozitive“. Z. Abdullahu, ka theksuar se anëtarët e sektorëve, duhet të tregojnë më shumë seriozitet dhe të jenë pjesë e takimeve kur ftohen nga kryesuesit.

Dugagjin Sokoli, kryesues i Sektorit të Edukimit në OEGjK, shprehu gatishmërinë që të ketë takime edhe më të shpeshta me drejtuesit e Odës por edhe me anëtarët e sektorit që ai udhëheqë, për të koordinuar veprimet dhe trajtuar problemet me të cilat ballafaqohet ekonomia e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti sektori i arsimit. Gjithashtu ai ka kërkuar që t´u jepet më shumë hapësirë mediale dhe publike projekteve qw realizon OEGJK.

Drejtori i kompanisë “Traveks“ z. Rrahim Tërnava, ka theksuar se janë shumë të nevojshme takimet e tilla dhe ka shprehur gatishmërinë që nëpwrmes Odës Ekonomike Gjermano Kosovare, të ndihmoj në avancimin dhe përmirësimin e situatës turistike në vend. Ai ka theksuar se sektori i turizmit është një aset shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit, duke potencuar se nuk është duke u bërë mjaftueshëm nga struktura shtetërore që ky sektor të shfrytëzohet si është më së miri për të gjeneruar të hyra buxhetore për vendin. Ai ka theksuar se nevojiten ndryshime të rëndësishme dhe marrje e hapave konkrete në përmirësimin e gjendjes, për të ofruar në radhë të parë informacionin e nevojshëm në shërbim të turistëve të huaj.

Drejtori ekzekutiv i OEGjK-së, z. Albert Matoshi tha se OEGJK do të vazhdoj të jetë zëri i bizneseve anëtare të saj dhe ka ofruar mbështetje për çdo iniciativë që vie nga struktura e anëtarëve të Odës.

Në këtë takim të mbajtur në ambientet e Odës Ekonomike Gjermano Kosovare, ku të pranishëm ishin z. Baki Abdullahu, kryesues i sektorit të Automobilizmit, znj. Fiona Zylfiu, zëvendëskryesuese e sektorit të Turizmit, z. Dugagjin Sokoli kryesues i Sektorit të Edukimit, z. Bedri Xhafa, kryesues i Sektorit të Shërbimeve, si dhe z. Agim Prokshaj zëvendëskryesues nga ky sekotor. Nw takim, pos stafit të OEGJK-së, ka marrë pjesë edhe z. Rrahim Tërnava pronar i ndërmarrjes turistike “Traveks“.