Rreth 40 biznese të reja, të Komunës së Ferizajt, po i shtohen Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë. OEGJK synon që brenda këtij viti të rrisë edhe më shumë numrin e bizneseve.

Madje kjo odë ka arritur të lidhë edhe memorandum bashkëpunimi me Unionin e Bizneseve Shqiptare në Gjermani, çdo herë me qëllim të forcimit të mardhënieve ekonomike me Gjermaninë.

Derisa, synim i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, vazhdon të mbetët regjistrimi në “Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Gjermane”. Për këtë regjistrim Oda njofton se kanë nisur të bëhen hapat e parë.

Përparësia e bizneseve që anëtarësohen në Odën Ekonomike Gjermane-Kosovare padyshim që është bashkëpunimi më lehtë i mundshëm që këto biznese mund ta realizojnë me bizneset gjermane.

Dje u bë edhe ceremonia e bizneseve që kanë shprehur interesimin të jenë pjesë e kësaj ode. Me këtë rast, presidenti i Odës Ekonomike Gjermane-Kosovare, Samir Krasniqi foli për përparësitë që kanë ato biznese që regjistrohen në këtë odë.

“Anëtarësimi i disa bizneseve të regjionit të Ferizajt në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, do të thotë këtu siç po e shihni janë 40 biznese të cilat kanë shprehë vullnetin dhe dëshirën të anëtarësohen në Odën Gjerman-Kosovare. Këto biznese kryesisht kanë një bashkëpunim, direkt apo indirekt, me Gjermaninë ose me bizneset gjermano….Përfitimet janë të shumta, do të thotë në si biznese, vet fakti kur mblidhemi brenda një institucioni, brenda një ode, do të thotë njoftësia mes vete dhe shkëmbimi i përvojave mjafton, mirëpo në këtë rast kisha thënë që përfitimet janë më të mëdha, do të thotë të gjitha shkëmbimet gjermane në Kosovë , thuajse janë të drejtuara përmes odës gjermane-kosovare, në mbështetje të ambasadës Gjermane në Prishtinë, andaj çdo biznes kosovar i cili në një mënyrë dëshiron ose planifikon të bashkëpunojë me biznese gjermane, mund ta bëjë këtë përmes odës gjermane, sepse rrjeti i odave gjermane në Europë dhe Gjermani është shumë i madh, dhe ne jemi pjesë e një rrjeti të tillë”, tha ai.

E për bizneset të cilat po largohen në Kosovë duke vazhduar operimin e tyre në vendet e tjera fqinje, siç është Maqedonia, Krasniqi tha se kjo po ndodhë sepse për momentin Maqedonia po ofron një paketë më joshëse për investitorët e huaj.

Anëtarësimin e afaristëve të rinjë e mirëpriti edhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa./KosovaPress/