

Bordi i Odës Ekonomike Gjermano – Kosovare, në takimin e radhës, i ka dhënë mbështetje dhe ka inkurajuar drejtuesit e saj, që të vazhdojnë me punën dhe projektet e nisura për të realizuar objektivat.
Presidenti i OEGJK-së, z. Samir Krasniqi, ka bërë një evaluim të angazhimeve të përgjithshme, në përmirësimin e gjendjes dhe mbarëvajtjes së këtij institucioni. Ai ka theksuar se Oda me punën e saj, po prezanton dinjitetshëm të gjitha bizneset anëtare dhe po paraqet një mundësi shumë të mirë për përmirësimin e ambientit të ndërmarrësisë në Kosovë.
Presidenti Z. Krasniqi, ka përmendur shkurtazi disa nga aktivitetet më të rëndësishme që OEGJK ka ndërmarrë, për të përçuar në institucionet më të larta të vendit, zërin e bizneseve anëtare, numri i të cilave ka shënuar dhe po shënon ngritje çdo ditë. Ndër angazhimet më me vlerë, z. Krasniqi potencoi organizimin e “Dialogut për Politika Ekonomike“, të mbajtur kohë më parë, në të cilin mbi 200 biznese pjesëmarrëse, kanë bashkëkomunikuar me kryeministrin e Kosovës z. Isa Mustafa, disa ministra dhe ambasadoren e Gjermanisë në vendin tonë znj. Angelika Viets. Gjithashtu, z. Krasniqi, tha se OEGJK, ka ndihmuar Shoqërinë Integruese Gjermano Shqiptare ´IDEAL´, në organizimin dhe mbarëvajtjen e konferencës `Ditët e Dialogut Shqipëri-Kosovë`, në kuadër të Dialogut të Parë të Landit Gjerman NRW, mbajtur në Prishtinë dhe Tiranë.
`Duke qenë koshient karshi kërkesave të shumta të bizneseve për ambient më të mirë biznesor, kemi zhvilluar takime dhe kemi organizuar konferenca shumë të suksesshme me mekanizma ndikues në Kosovë por edhe jashtë vendit“, ka thënë z. Krasniqi.
Presidenti z. Krasniqi, ka përmendur pos tjerash edhe një takim pune që ka pasur me kryeministrin e Shqipërisë z. Edi Rama, duke e njoftuar atë për problemet që bizneset kosovare hasin në Shqipëri.
Krasniqi, gjithashtu tha se në disa takime pune me strukturat më të larta të shtetit në Kosovë, ka paraqitur problemet më të theksuara me të cilat çdo ditë ballafaqohet komuniteti i biznesit në vend.
Edhe Drejtori Ekzekutiv i OEGK-së, z. Azem Rexhaj, ka bërë një rikapitulim të ecurisë së punëve. Ndër të tjera z. Rexhaj, ka potencuar takimet e drejtuesve të Odës me biznese të shumta, të mbajtura nëpër disa qytete të ndryshme të Kosovës për të dëgjuar nga ta, sfidat me të cilat përballen, si dhe për t´u ofruar dorën e ndihmës dhe këshillëdhënies nga OEGJK.
Rexhaj, gjithashtu para anëtarëve të Bordit, ka prezantuar më gjerësisht gjithë raportin e punës, duke përmendur ndër të tjera se OEGJK është në realizim e sipër të njërit nga projektet e saj me vlerë siç është “:usbildung”, apo Arsim dhe Aftësim Profesional në Gjermani, i mbështetur fuqishëm edhe nga organizata gjermane GIZ.
Drejtori z. Rexhaj, po ashtu ka prezantuar bilancin e gjendjes së tashme të OEGJK-së, për të potencuar se numri i bizneseve anëtare është në rritje të vazhdueshme, falë përkushtimit të stafit për të qenë në shërbim të tyre. Ai ka vlerësuar lartë bashkëpunimet e OEGJK-së me ambasadën gjermane në Kosovë, GIZ dhe institucionet tjera gjermane. Sipas z.Rexhaj, OEGJK, mëton që të jetë një organizatë serioze e përkushtuar dhe ndihmëdhënëse për komunitetin që mbulon, dhe se planet e OEGJK-së, janë që të rritë edhe më numrin e anëtarëve, të reprezentoj mirëfilli ato, të krijoj kapacitete shtesë profesionale, të kontribuojë edhe më shumë në ngritjen e nivelit të bashkëpunimit ndërbiznesor Kosovë – Gjermani, si dhe të mbetet zëri i arsyes së këtij grupi të interesit.
Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë z. Matthias Kiesler, edhe në këtë takim i ka dhënë përkrahje projekteve dhe punës së OEGJK-së, duke e vlerësuar shumë të nevojshëm organizimin e shëndoshë institucional të bizneseve në vendin tonë.
Në këtë takim, pos presidentit të OEGJK-së z. Samir Krasniqi, drejtorit ekzekutiv i OEGJK-së z. Azem Rexhaj, zëvendësambasadorit të Gjermanisë në Kosovës z. Matthias Kiesler, kanë marrë pjesë edhe zëvendëspresidenti i OEGJK-së z. Olaf Steinhilb, si dhe anëtarët, z. Ilir Aliu, z. Bashkim Malushaj, z. Sylejman Berisha dhe z. Virtyt Ibrahimaga.