Bordi drejtues i Odes Ekonomike Gjermano Kosovare, në mbledhjen e fundit, i ka dhënë mbështetje të plotë stafit drejtues.

Anëtarët e Bordit Drejtues, kanë përgëzuar punonjësit e OEGJK-së, për angazhimin e shtuar në shërbimit për bizneset anëtare. Në këtë takimin në të cilën morrin pjesë, Samir Krasniqi president, Albert Matoshi drejtor ekzekutiv, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë znj. Angelika Viets, anëtarët Olaf Steinhilb, Bashkim Malushaj, Sylejman Berisha, Ilir Aliu, Virtyt Ibrahimaga, Korab Syla e Nora Vllahiu, u konkludua që OEGJK, ka krijuar një identitet të një mekanizmi serioz dhe me peshë në vend.

Presidenti i OEGJK-së, Samir Krasniqi, përshëndeti të gjithë të pranishmit, duke hapur debatin për çështje të vëna në rend të ditës. Me vendimin e të pranishmëve u vendos që çdo vit, të ketë 4 data fikse të caktuara për takimin e drejtorëve të Bordit.

Drejtori ekzekutiv i OEGJK-së, Albert Matoshi, prezantoi të gjitha aktivitetet që janë zhvilluar në muajt e fundit, e të cilat përfshinin disa konferenca me diskutim çështje aktuale në vend, mbledhje të sektorëve të ndryshëm për të folur për gjendjen dhe shqetësimet e tyre, si dhe projekti Iniciativa për Ausbildung në Gjermani. Ai ka prezantuar po ashtu edhe raportin financiar, të ardhurat dhe shpenzimet totale që paraqesin problemin e likuiditetit.

Anëtarët e Bordit, kanë miratuar kërkesën për anëtarësim të 16 kompanive të reja. Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë zj. Angelika Viets, tha se do të ftojnë të gjithë anëtarët e rinj në një event të organizuar në ambasadën gjermane, për t´ju dorëzuar atyre certifikatat e anëtarësisë. Ky propozim i znj. Viets, është mirëpritur nga presidenti i OEGJK-së z. Krasniqi dhe drejtori z. Matoshi.

Matoshi, prezantoi planet për vitin 2016, drafti i të cilave u është dërguar paraprakisht të pranishmëve. Presidenti, z. Krasniqi, theksoi se duhet të thellohet bashkëpunimi me Odën Ekonomike Gjermane në Beograd dhe si ndërmjetësues të jetë z. Knapp. Duhet të ndërmerren hapa të mëtejshëm për të na sjellë pranë anëtarësimit në AHK, theksoi z. Krasniqi, duke shtuar se nevojitet të forcohen marrëdhënia mes OEGJK-se me ambasadën Gjermane si dhe me institucionet e tjera gjermane. Planet për aktivitetet e 2016 u miratuan nga të gjithë të pranishmit.

Presidenti i OEGJK-së, z. Krasniqi ka paralajmëruar se mbledhja e Kuvendit do të mbahet me datën 07.12.2015 dhe se të gjitha përgatitjet janë duke u bërë me kohë.