

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare/KDWV është duke jetësuar projektin Arsim dhe Aftësim Profesional në Gjermani, përkatësisht të ashtuquajturin program “Ausbildung” në sistemin dual të arsimit dhe aftësimit profesional në Gjermani. Nga përvoja e mëparshme e organizatave të ndryshme që kanë mundësuar ndërjmetësimin e të rinjëve me kompani dhe shkolla të ndryshme në Gjermani, është vërejtur një interesim i lartë i të rinjëve kosovar për Arsim dhe Aftësim Profesional në Gjermani. Në anën tjetër, ashtu siç edhe tregojnë të dhënat zyrtare gjermane, në kompanitë gjermane janë shumë vende të lira për Arsim dhe Aftësim Profesional në sektorë dhe për profile të ndryshme.
Me këtë rast, KDWV në bashkëpunim me organizatat Gjermane kanë marrë iniciativën të organizojnë kampanjën informuese si dhe të bëjnë identifikimin paraprak të kandidatëve që janë mbi 18 vjeçarë dhe kanë njohuri të mjaftueshme të gjuhës gjermane dhe që shprehin interesim për t’u aftësuar në profilet/profesionet specifike të kërkuara në Gjermani.
Benefitet potenciale që mund të priten nga kjo kampanjë për ekonominë e Kosovës janë përpos tjerash këto më poshtë: Disa kompani që kanë për qëllim të investojnë në Kosovë tanimë kanë përvojë në pranimin e të rinjëve Kosovarë në programet e tyre të aftësimit në Gjermani dhe janë modele konkrete ku të rinjtë tanë kanë treguar sukses që në vitin e parë e të dytë të këtyre programeve. Këto kompani vazhdojnë të kërkojnë kandidatë për vitin shkollor 2015/2016.
Mund të pritet po ashtu që profesionistët e aftësuar në cilësi të lartë të kthehen në Kosovë dhe të kontribuojnë me përvojat e tyre për tregunn vendor të punës. Procedurat e ndërlidhura me aplikim dhe selektim janë pa pagesë për aplikantët dhe do të zgjasin deri me 21 prill 2015. KDWV/OEGJK është themeluar në vitin 2012 dhe ka për qëllim të përfaqësoj ekonominë Gjermane në Kosovë, për të promovuar dhe forcuar raportet ekonomike përmes Gjermanisë dhe Kosovës, si dhe projektet potenciale në këtë fushë.